Studentët mitrovicas në një garë në Universitetin e Harvardit

347
0
SHPËRNDAJE

Kosova pjesë e garës prestigjioze “Harvard Model United Nations”

Gjashtë studentë të Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, së bashku me një grup të studentëve nga Universiteti i Prishtinës, do ta përfaqësojnë Kosovën në garën prestigjioze “Harvard Model United Nations”.

Grupin e studentëve që do të marrin pjesë në garë së bashku me dekanin e Fakultetit Juridik, Bashkim Preteni, i ka pritur të premten në takim edhe rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, i cili uroi që të dalin sa më suksesshëm në këtë aktivitet.

Siç njofton komunikata për media nga Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, rektori Musaj, tha se pjesëmarrja e studentëve të Universitetit “Isa Boletini”, në një garë tradicionale në Universitetin e Harvardit, është një sukses për studentët dhe për Universitetin në përgjithësi. “Pjesëmarrja juaj atje ju nderon juve dhe neve njëkohësisht, prandaj ndjehemi jashtëzakonisht të nderuar me arritjen tuaj”.

Ai theksoi se kjo është një mundësi e mirë e promovimit të Universitetit “Isa Boletini”, duke pasur parasysh se në atë garë marrin pjesë 1500 studentë nga vende të ndryshme të botës. “Jemi të inkurajuar me suksesin tuaj, prandaj ne shprehim gatishmërinë tonë që të jemi pranë jush”, tha ai.

Në anën tjetër, dekani i Fakultetit Juridik, Bashkim Preteni, e falënderoi rektorin Musaj për mbështetjen. “Pa mbështetjen e rektorit do të ishte e pamundur që të realizohet ky projekt, që padyshim se do të ndikoj pozitivisht në imazhin e Universitetit tonë”, tha ai.

Studentët që do të marrin pjesë në këtë garë, shprehën mirënjohjen e tyre për mbështetje nga rektori dhe dekani. Ata thanë se kjo është një mundësi e mirë që do  të përpiqen ta shfrytëzojnë në mënyrën më të mirë për ngritjen e tyre profesionale në të mirë të Universitetit dhe të vendit në përgjithësi.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU