Përurohet shtatorja e heroit Xhavit Haziri

Përurohet shtatorja e heroit Xhavit Haziri

Presidenti Hashim Thaçi, ka marrë pjesë sot në përurimin e shtatores së heroit Xhavit Haziri.

Thaçi gjatë fjalës së tij tha se do të shkruhen shumë libra, monografi dhe do të bëhen shumë dokumentarë për rolin historik të Hazirit.

“Heroi i kombit, Xhavit Haziri, ishte personaliteti eminent i luftës tonë për liri, për shtet dhe bashkim kombëtar”, tha Thaçi.

Kreu i vendit ka shtuar se këtu kemi shumë bashkëveprimtarë të Xhavitit që kanë filluar aktivitetet e tyre për liri, pavarësi, rpublikë e bashkim kombëtar dhe do të mund të flasin edhe më gjerë.

Por, sipas tij, të gjithë e thonë një gjë: “Xhaviti ishte mjeshtër i organizimit, njeri i ideve kreative për rezistencë kundër ushtrisë dhe policisë serbe. Njeri i pathyeshëm në burgjet serbe, e në të njëjtën kohë për t’u rikthyer gjithmonë si pas burgut të parë, gjithashtu edhe pas vuajtjes së burgut te dytë në organizim, e pastaj nga vitet 1997-1998 duke ardhur edhe drejtpërdrejtë në istikamet e luftës, duke vizituar zonat operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e duke qëndruar në selinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i bashkërenduar aktivitetet me simbolin e rezistencës kombëtare Adem Demaçin në Prishtinë, dhe të gjitha ato angazhime emblematike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Presidenti theksoi se Xhavit Haziri është emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e shtetit të Kosovës dhe e bashkimit kombëtar.

Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj tha vepra e Xhavitit ka qenë e veçantë për çlirimin e Kosovës, ndërsa kryetari i PDK-së Kadri Veseli heroin Xhavit Haziri e quajti ideolog i veprimeve të armatosura.

Një fjalë rasti mbajti edhe kryetari i komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, i cili tha se jeta dhe vepra e Xhavitit është dëshmi e gjallë e luftës për liri dhe pavarësi.

E mundimshme dhe plot sakrifica ishte rruga e lirisë, ndaj edhe vështirësitë e Xhaviti Haziri ishin të mëdha. Andaj, duke kujtuar të kaluarën duhet të ndërtojmë të ardhmen, pasi lufta e Xhavit Hazirit me shokë nuk ka përfunduar – ka përfunduar ajo me pushkë”, tha Gashi.

Po ashtu, një fjalë rasti mbajti edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti, i cili tha se nderimi për heroin Xhavit Haziri njëherësh është edhe nderim i kombit dhe historisë sonë./21Media