Haradinaj: Deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, kërkoj pezullimin e vendimi

Haradinaj: Deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, kërkoj pezullimin e vendimi

Kryeministri i Kosovës , Ramush Haradinaj vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit e cila e cilësoi të jashtëligjshëm rritjen e pagave për zyrtarët qeveritarë ,e ka quajtur të ndikuar politikisht.

“Vendimin e AKK-së, lidhur me nivelizimin e pagave, e vlerësoj të paqëndrueshem dhe të ndikuar politikisht. Për këtë vendim kemi dorëzuar përgjigje të qartë dhe kjo është e njohur për opinionin”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Tutje kryeministri ka thënë se ka vendosur që përkohësisht, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ta kërkojë pezullimin vendimin për rritjen e pagave.

“Megjithatë, pas kërkesës së 30 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për vlerësimin e kushtetueshmërisë së vendimit për nivelizim të pagave, të marrë më 20 dhjetor nga Qeveria e Kosovës, kam vendosur që përkohësisht, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ta kërkoj pezullimin e këtij vendimi”, thuhet në postimin e tij.

Më tej Haradinaj ka thënë se vendimi tij më së shumti godet gjyqtarët dhe prokurorët, duke qenë se pagat e tyre janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me vendimin për nivelizimin e pagave.

“Shqetësimi im dhe i Qeverisë është se ky pezullim godet më së shumti gjyqtarët dhe prokurorët, duke qenë se pagat e tyre janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me vendimin për nivelizimin e pagave. Pa marrë parasysh epilogun e kësaj çështjeje, ne do të përpiqemi që të gjejmë mënyrën për të siguruar përkrahjen e plotë për gjyqtarët dhe prokurorët në vend”, thuhet në postimin e Haradinajt.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me anë të një vendimi të datës 21 dhjetor 2017, ia ka rritur  pagën vetes, anëtarëve të kabinetit qeveritar, këshilltarëve dhe disa zyrtarëve të stafit të zyrës së kryeministrit. Nga 1 mijë e 443 euro sa e kishte, paga mujore e kryeministrit është vendosur të jetë 2 mijë e 950 euro. Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për rritje të pagave edhe të zëvendëskryeministrave dhe ministrave. Rroga për një ministër ka arritur në 2 mijë euro nga 1 mijë e 270 sa ishte më parë.

Me hyrjen në fuqi të vendimit për ngritje të pagave për zyrtarët qeveritar, me automatizëm, në bazë të Ligjit për Gjykata dhe Ligjit për Prokurorinë e Shtetit, do të rriten edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjitha nivelet. Prokurorët e gjyqtarët kosovarë bëhen me pagat më të mira në rajon, kështu kishte deklaruar Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, duke konfirmuar se vendimi i qeverisë për rritjen e pagave, prek edhe sektorin e drejtësisë./21Media