Nikollov: Ligji nuk do të votohet me presion

Nikollov: Ligji nuk do të votohet me presion

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, pret që këtë javë të mbyllet çështja për Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Sipas tij, debati është hapur më shumë se 9 muaj ndërsa të gjithë aktorët relevant në shoqëri e kanë treguan mendimin e tyre në lidhje me këtë ligj. Zaev thotë se deputetët e shumicës kanë dhënë edhe një javë si mundësi për dialog, me qëllim që të gjendet zgjidhje e pranueshme për opozitën.

“Kjo paraqet pamundësim i të drejtës kushtetuese të qytetarëve të bashkësive më të vogla etnike. Ta lejojmë, le të realizohet, le të ketë zbatim dhe të shohim të gjithë se nuk është diçka që është e dhimbshme, e rëndë dhe tragjike. Kjo është diçka që do të mundësoj që më lehtë të kuptohemi mes vetes”, tha Zaev, shkruan Tv21.tv

Zv.kryeministri për euro integrime, Bujar Osmani, vlerëson se kulmi i papërgjegjësisë është që një parti e caktuar politike t‘i pengojë reformat në një shtet. Me veprimet e tyre, opozita po e vendos vendin në rrezik, vlerëson Osmani, dhe shtoi se është vonuar implementimi i një pjese të ligjeve në gjyqësor por kjo nuk ndodh për shkak të ligjit për gjuhët, por për shkak të mungesës së VMRO-DPMNE-së në Kuvend.

VMRO-DPMNE-ja pret që procedura parlamentare të respektohet deri në fund dhe se ligji nuk do të miratohet me forcë, thotë Igor Nikollov, anëtar i Komitetit qendror i kësaj partie.

“Shpresoj se do të mbizotërojë ndërgjegjja mes deputetëve të LSDM-së dhe se të gjithë nuk do të mendojnë njëjtë dhe të votojnë diçka e cila është e qartë, se bëhet fjalë për gjendje e cila është shantazh”, tha Nikollov.

Nesër sipas paralajmërimeve të kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, do të ketë koordinim me grupet e deputetëve dhe atëherë do të jetë më e qartë se kur do të mbahet seancë plenare, vazhdimi i së cilës duhej të mbahej të martën e kaluar. BDI-ja nuk heq dorë nga qëndrimi se nuk duhet të hapet debat për amendamentet, ndërsa LSDM-ja edhe pse e mbështet Ligjin, vlerëson se me amendamentet duhet të veprohet sipas Rregullores së Kuvendit. 35 mijë amendamentet që i parashtroi VMRO-DPMNE-ja, mbeten në Kuvend./21Media