Ledri flet për performancën në "Alba Festival"

Ledri flet për performancën në “Alba Festival”

Rep-artisti i njohur dhe shumë i dashur shqiptar, Ledri Vula ka dhënë një intervistë për gazetën ditore zvicerane, “20 Minuten”.

“Ylli kosovar e do Zvicrën”, mbanë titullin artikulli nga gazeta, në të cilin rep-artisti shqiptar tregon dashurinë që ka për Zvicrën, përcjell rtv21.tv

Ledri për gazetën ka rrëfyer që viziton shpesh qytetin e Cyrihut sa herë i jepet mundësia, pasi që ndjehet si në shtëpinë e tij.

32-vjeçari ka treguar për famën që gëzon në vendet shqiptare, si dhe u tregua mirënjohës që kohëve të fundit muzika e tij po dëgjohet edhe jashtë kufijve shqiptar.

Rep-artisti rrëfeu për gazetën zvicerane virtytet shqiptare, duke treguar që shqiptarët janë shumë të shoqërueshëm me njerëzit e të tjerë. Ndërsa, për faktin që artistët shqiptarë po depërtojnë jashtë kufijve, tha se e cilëson si dëshirë të madhe të shqiptarëve për t’i treguar botës që kanë talent dhe janë evropianë. “Fakti që jemi duke depërtuar edhe në botë, po mendoj që jemi të unt me na pa bota, që edhe na jemi njerëz, edhe na jemi evropianë, edhe na jemi talenta, edhe kena nevojë me na pa bota qashtu qysh e meritojmë”, tha ai.

Ledri në intervistë foli edhe për atë se do të performojë në “Alba Festival” më 29 qershor në qytetin e Cyrihut. Këtë performancë rep-artisti e ka quajtur si ëndërr që iu është realizuar. “Kur jena kanë të vogël as që e kam mendu që një ditë kam me ardh në Cyrih, edhe me performu. Ajo është bë. Kemi pasë performanca në klube, dhe tash me ardh me performu me një festival jashtë shtetit tënd, edhe për shqiptarë, edhe kaq i madh, edhe kaq i organizuar mirë, është si një ëndërr me t’u realizu”, tha ai.

Krahas dashurisë që ka për Zvicrën dhe që do të performojë në “Alba Festival”, Ledri ka komentuar edhe skandalin e rep-artistes së njohur, Loredana.  “Po jam në ngjarje me lajmet, normal kanë bë bujë edhe te na. Kurrkush nuk gëzohet për sene të tilla që ndodhin, unë mendoj që është një artiste shumë e talentuar, dhe shumë e mirë. Një lajm i tillë nuk na prezanton neve si popull, nëse veç ajo është pyetja”, ka thënë Vula.

Videon e intervistës e gjeni në këtë link.

“Rio rio” është projekti i fundit muzikor i artistit që është publikuar më 4 qershor dhe deri më tani numëron mbi tre milionë klikime në kanalin Youtube./21Media