Ymeri premtoi edhe sanimin e problemeve të punëtorëve

Ymeri premtoi edhe sanimin e problemeve të punëtorëve

Koalicioni AAK-PSD premton se menjëherë pas 6 tetorit do të rrisë pagën minimale dhe se ajo do t’i aplikohet në nivel të njëjtë të gjithë të punësuarve në Republikën e Kosovës. Visar Ymeri ka thënë se niveli i ulët i pagës minimale i godet më shumë gratë, për shkak të nivelit të madh të papunësisë.

Visar Ymeri ka folur sot në një konferencë për media lidhur me pagën minimale dhe planin programor të koalicionit AAK-PSD pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Ai tha se sektori privat ka një mangësi të madhe në të drejtat e punëtorëve, kushtet e punës që zbatohen aty, e edhe në mënyrën si paguhen dhe oraret për të cilën kërkohet të punojnë.

Sipas tij, me Qeverinë Haradinaj do të zgjidhen problemet e tilla.

“Me pagën minimale edhe me zbatimi ne ligjit të punës, natyrisht që disa prej këtyre problemeve do të sanohen me qeverinë Haradinaj pas 6 tetorit. Niveli i ulët i pagës minimale, me hulumtimet që i kemi bërë, veçanërisht i godet gratë për shkak të, së pari nivelit të madh të papunësisë, dhe e dyta për shkak llojit të punës në të cilat kryesisht janë të orientuara gratë sot në Republikën e Kosovës në ekonominë tonë. Pra nevojitet masa institucionale që kjo të sanohet në mënyrë që edhe të luftohet papunësia por edhe të rritet barazia edhe të rriten vendet cilësore të punës, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Ai përmendi pikat të cilat sipas tij do t’i zbatojnë menjëherë rreth pagës minimale, ku tha se ajo do të rritet menjëherë sipas parimeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës.

“Ne kemi katër pika të cilat do t’i zbatojmë menjëherë sa i përket pagës minimale, atë menjëherë do ta rrisim sipas parimeve të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës përmes rezolutës. Natyrisht që kjo rezolutë kërkon nga këshilli ekonomik social që ta merr vendimin dhe pastaj në mënyrë të përshpejtuar kryeministri Haradinaj do ta shndërrojë këtë në vendim qeveritar në mënyrë që kjo të fillojë të zbatohet menjëherë në Republikë ne Kosovës. Me propozimin tonë, paga minimale do të i aplikohet të gjithë të punësuarve në Republikën e Kosovës në nivelin e njëjtë, jo siç është tash që është e ndarë sipas dy nivele, pra deri ën moshën 35 vjeçare dhe mbi moshën 35 vjeçare, ne konsiderojmë që kjo është e padrejtë”, tha ai.

Sipas tij, paga minimale duhet të jetë njëjtë për të gjithë sektorët dhe të gjitha moshat.

Ymeri tha se kriteri i përcaktimit të pagës minimale nga kapaciteti konsumues duhet të kalojë tek të hyrat e disponueshme për familjen.