"Republika e kapur dhe e korruptuar shndërrohet në të kundërtën e vet"

Loading...

“Republika e kapur dhe e korruptuar shndërrohet në të kundërtën e vet”

Nënkryetari dhe deputeti i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri ka thënë se raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit që vlerëson respektimin e të drejtave nëpër vende të ndryshme të botës ravijëzon disa probleme që janë shfaqur në Kosovë për periudhën raportuese.

“Ndër më shqetësueset mbeten korrupsioni, ekstradimi i shtetasve të huaj pa proces paraprak ligjor, si dhe pozita e pakicave etnike e shoqërore në Republikën e Kosovës. Natyrisht që rritja e korrupsionit është drejtpërdrejt e lidhur me shkeljen e të drejtave elementare të njeriut”, është shprehur Ymeri.

Ymeri ka thënë se në mënyrë implicite, korrupsioni nënkupton cungim të mundësive për shumicën duke e përqendruar pasurinë/pushtetin në duart e pakicës.

“Ky lloj shteti është shtet i kapur, meqë korrupsioni është mekanizëm që, duke i përjashtuar procedurat demokratike e orientimin e politikave kah e mira e përgjithshme, e privatizon aparatin shtetëror për ta vënë atë në funksion të interesit të pakicës sunduese. Kur kësaj i shtohet edhe identifikimi etnik politik, atëherë formula është e gatshme. Tjetri, përherë i reduktuar në numër, shihet me dyshim dhe si rrezik. Kështu Republika e kapur dhe e korruptuar shndërrohet në të kundërtën e vet – në vend se demokraci gjithëpërfshirëse, prodhon oligarki sunduese; në vend rishpërndarje për mirëqenien e përgjithshme, prodhon zhvatje për pasurim të sunduesve”, ka shkruar Ymeri në Facebook./21Media