Ymeri: Kosova është një shtet që i dhunon vajzat dhe gratë

Po vazhdon debati parlamentar për rastin e të miturës nga Drenasi

Në seancën e jashtëzakonshme parlamentare për dhunimin seksual në Drenas, në emër të Grupit Parlamentar të PSD-së, Visar Ymeri, ka thënë se është hipokrizi të diskutohet sot në parlament për dhunimin, sepse tashmë është shumë vonë. Ymeri ka thënë se në Kosovë nuk është ndërtuar shtet që i mbron vajzat dhe gratë, por një shtet që i dhunon.

Ai ka thënë se për këtë rast të dhunimit në Drenas, institucionet e Kosovës kanë dështuar, sepse siç tha ai në këtë krim janë të përfshira tri instancat e autoritetit: mësuesi, polici dhe mjeku, të cilët si zinxhirë keqpërdoren pozitën zyrtare e autoritetin që ia m’vesh profesioni e sistemi për t’u angazhuar në përdhunim sistematik ndaj një të miture, duke përjashtuar tërësisht subjektivitetin e saj njerëzor e të drejtat e saja qytetare.

Po ashtu, Ymeri ka thënë se ajo që është parë këto ditë në formë të reagimit shoqërore është inkurajuese.

“Një reagim i tillë shoqëror duhet domosdoshmërisht të reflektohet me reagimin e duhur institucional dhe kjo seancë mes tjerash e ka edhe këtë qëllim, ta prodhoj në fund një rezolutë propozimesh, masash konkrete të cilat domosdoshmërisht duhet të merren parasysh nga autoritetet veçanërisht nga ekzekutivi në mënyrë që sa do pak ta sanojmë gjendjen dhe t’i krijojmë disa prej masave parandaluese të krimeve të tilla”, ka thënë Ymeri.

Ymeri ka thënë se duhet t’i kushtohet kujdes të veçantë masave rehabilituese e socializuese për viktimën nga Drenasi, duke fuqizuar dhe mirë financuar strehimoret të cilat ekzistojnë në Kosovë.

Në seancë të pranishëm janë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa dhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Back to top button