Ymeri: LDK dhe VV e kanë kundërshtuar delegacionin për dialog për arsye të veta politike

Procesi i dialogut sipas Ymerit do të jetë i pranueshëm vetëm nëse përfundimi i tij do të ketë njohje reciproke

Një javë më parë Partia Socialdemokrate, Nisma dhe Alternativa, kanë paraqitur rezolutën dhe tekstin e ligjit për themelimin e delegacionit shtetëror për dialogun me Serbinë, ndërsa ende kjo nuk ka marrë mbështetjen e tri partive parlamentare.

Përderisa PDK ende nuk ka dhënë qëndrimin e saj, dy partitë tjera opozitare Vetëvendosja dhe LDK-ja e kanë kundërshtuar këtë nismë.

Deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, ka thënë se VV dhe LDK e kanë kundërshtuar në mënyrë të përgjithësuar këtë nismë për arsye të veta politike. “VV dhe LDK kanë një qasje tjetër mendoj unë, ata e kanë refuzuar në mënyrë të përgjithësuar këtë nismë tonën dhe këtë delegacion shtetëror ose mundësinë e krijimit të tij për arsye të veta politike. Tash nuk po dua të hyj dhe të diskutoj ato, mirëpo mendoj që në këtë fazë në të cilën jemi është jashtëzakonisht e rëndësishme që procesin e dialogut me Serbinë ta merr përsipër delegacioni shtetëror i cili do të fuqizohet përmes ligjit dhe i cili do të jetë ekskluzivisht organi i cili e mban përgjegjësinë për drejtimin e këtij dialogu. Në delegacionin shtetëror ne kemi arritur ta krijojmë hapësirën e domosdoshme vendimmarrëse për opozitën, ju e dini që delegacioni do të bashkëdrejtohet nga një përfaqësues i pozitës dhe i opozitës”, tha ai.

Ndërsa, Ymeri ka thënë se ka dëgjuar se krijimin e këtij delegacioni po e pengon edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili vitin e fundit ka përfaqësuar Kosovën në këtë dialog. “Kemi dëgjuar edhe ne thashetheme të tilla. Unë mendoj që mënyra e vetme se si Kosova do të mund të përfaqësohet denjësisht, edhe me seriozitet, edhe me përgjegjësi në procesin e dialogut është përmes dialogut shtetëror. Dhe natyrisht Kuvendi i Kosovës, siç kemi thënë ne PSD-ja, është organi i vetëm i cili duhet ta mbajë të drejtën e mbikëqyrjes të këtij procesi dhe ët drejtimit të tij, përmes mandatimit të delegacionit shtetëror. Natyrisht, siç tha edhe Gorani, kjo nuk nënkupton se do t’i hiqet, cenohet, vyshket postet tjera që i kemi prej zyrës së presidentit, kryeministri , kryetari i Kuvendit e të tjera”, u shpreh ai.

Sa i përket rezolutës, Ymeri tha se ajo e themelon delegacionin shtetëror, si organin ekskluzivisht përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit të dialogut, si dhe i ravijëzon qartë parimet udhërrëfyese të dialogut me Serbinë.

Procesi i dialogut sipas Ymerit do të jetë i pranueshëm vetëm nëse përfundimi i tij do të ketë njohje reciproke, anëtarësimi i Kosovës në OKB, përshpejtimin e proceseve integruese të Republikës së Kosovës në BE dhe në NATO.

Ai ka bërë të ditur se delegacioni do të kryesohet nga një përfaqësues i pozitës dhe nga një i opozitës, ndërkohë që në delegacion një vend është i rezervuar edhe për shoqërinë civile. “Me këtë propozim të rezolutës dhe të ligjit për themelimin e delegacionit shtetëror, Kuvendi i Kosovës e fiton dhe e mban rolin qendror në procesin e dialogut. Delegacioni shtetëror i cili votohet dhe mandatohet nga Kuvendi i Kosovës e ka të drejtën ekskluzive dhe mbanë përgjegjësi të negocimit dhe arritjes së marrëveshjes gjatë procesit të dialogut. Procedurat e vendimmarrjes, kompetencat, përgjegjësitë si dhe raportin mes delegacionit shtetëror dhe institucioneve tjera kushtetuese në raport me dialogun me Serbinë definohen dhe saktësohen përmes ligjit për delegacionin shtetëror. Delegacioni shtetëror është i përbërë prej 11 anëtarëve, prej të cilëve 6 do të jenë nga koalicioni qeverisës, 4 nga opozita dhe 1 nga shoqëria civile”, tha ai.

Ai ka treguar cilat janë detyrat dhe përgjegjësitë e delegacionit. Sipas tij, delegacioni shtetëror e drejton procesin e dialogut me Serbinë, përfaqëson Kosovën në këtë dialog, miraton strategjinë e përgjithshme negocuiese si dhe strategjitë e veçanta për secilën temë të dialogut, bashkërendon agjendën e dialogut me platformën shtetërore me dakordancë me lehtësuesit dhe ndërmjetësuesit e dialogut, bashkërendon takimet me krerët e tjerë institucional kurdo që ata konsiderohen të nevojshme pjesëmarrja e tyre në dialog, raporton komisionit mbikëqyrës të Kuvendit pas çdo takimi me delegacionin e Serbisë, miraton pozicionet fillestare negociuese të Kosovës për secilën temë dhe koordinon veprimet me institucionet tjera.

Brenda dialogut sipas Ymerit procedurat e vendimmarrjes janë paraparë të jenë konsensuale, pra me pajtueshmërinë e të gjitha anëtarëve me të drejtë vote.

Kurse, për ligjin për delegacionin shtetëror Ymeri tha se ka rëndësi të madhe, pasi sipas tij në të përveç se sanksionohen dhe qartësohen kompetencat vendimmarrëse sa i përket dialogut me Serbinë në mes të institucioneve të ndryshme të cilat do të jenë pjesërisht të përfshira në të, e ngrit nivelin e përgjegjësisë dhe seriozitetin e dialogut.

Ndërsa, nënkryetari i PSD-së Dukagjin Gorani, tha se këto projekt-dokumente janë të qartësuara dhe hasin rrugë për përfaqësim të drejtë dhe të balancuar në proces të dialogut. Ai bëri të ditur se dokumentet në fjalë tashmë ua kanë paraqitur të gjitha partive politike, teksa shtoi se disa prej tyre kanë shfaqur hapur kundërshtitë e tyre në këtë aspekt. “Të dy dokumentet u janë prezantuar tashmë përfaqësuesve të të gjitha partive politike parlamentare gjatë javës së kaluar. Përmbajtja e dokumenteve që i kemi sot, është harmonizuar me AAK-n, me Nisma-n, me AKR-n dhe me Alternativën. Ndërkohë që vazhdojmë të presim edhe qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës. Projektligji dhe rezoluta e PSD-së u është dorëzuar edhe LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Këto dy subjekte nuk kanë marrë pjesë në takimet e thirrura për harmonizim të përmbajtjes dhe i kanë bërë të qarta dallimet politike dhe qëndrimin kundërshtues karshi këtyre propozimeve”, u shpreh Gorani.

Tutje, Gorani u shpreh se këto dy dokumente e përkufizojnë delegacionin shtetëror si entitetin e vetëm që ka mandat negociues në proces.

Back to top button