Zaev ende pa emra konkret të kandidatit për president

Zaev vazhdon takimet me liderët

Partitë e shumicës parlamentare kanë filluar bisedimet për kandidatin për president, por nuk japin inofrmacione se cili është emri për të cilin është biseduar. Pas takimit me kryeministrin Zaev, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi tha se për partinë e tij është e rëndësishme që kandidati të jetë i pranueshëm për të gjithë komunitetet.

“Me rëndësi është që ka një frymë të mirë për bashkëpunim dhe për gjetjen e një kandidati të përbashkët që të dilet bashkërisht me një kandidat i cili do të jetë përfaqësues do të jetë kandidat i mirë, do ti përfaqësojë mirë të gjithë qytetarët dhe në këtë frymë edhe ne kemi shfaqur gatishmërinë të ndihmojmë këtë proces”, deklaroi Afrim Gashi.

Në takim me kryeministrin Zaev, ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi. Ai tha se është biseduar edhe për emra por nuk pranoi të ndajë me mediat se për cilin emër është biseduar.

“Është ende herët, por ramë dakord që të kthehemi në partitë tona të bisedojmë, përmendëm disa emra dhe më pastaj bashkërisht të shohim se cili është emri i cili kuoton më lart. Unë në princip jam që duhet të jetë kandidat i Qeverisë”, tha Menduh Thaçi.

Pas takimit me dy liderët e partive shqiptare, kryeministri Zaev tha se që të dy takimet ishin të frytshme dhe se ka mundësi që pas një jave të jetë arritur një marrëveshje për kandidatin.

“Më vjen mirë që vazhdojmë me mbledhje me subjektet politike, në aspekt pozitiv dhe me qëllim pozitiv. Dëshira më e madhe e qytetarëve por edhe e partive politike është që të mundohemi dhe të gjëjmë një gjuhë të përbashkët për konkuruar me kandidat të përbashkët në zgjedhjet presidenciale cili do ishte i pranueshëm për të gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha mes tjerash, kryeministri Zaev.

Kryeministri Zaev ditën e djeshme u takua me Ali Ahmetin dhe delegacionin e BDI-së, dhe ka paralajmëruar takime për ditën e nesërme edhe me liderin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela por edhe me Bilall Kasamin e Lëvizjes Besa./tv21

Back to top button