“E gjithë kjo që folët ju kryeministër është shumë evropiane”

“E gjithë kjo që folët ju kryeministër është shumë evropiane”

Në ora 10 të mëngjesit, kryetari i Çashkës, Goran Stojanovski dhe drejtoresha e shkollës fillore Violeta Spirkovski dhe ministri i Arsimit Arbër Ademi shkuan në Qeveri për tu takuar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.

Takimi zgjati më shumë se një orë ndërsa tema ishte zgjidhja e problemit të nxënësve shqiptarë të cilët mësojnë në gjuhën maqedonase.

Në konferecën e përbashkët me kryetarin e PE-së, TV21 pyeti kryeministrin se a ka zgjidhje për nxënësit shqiptar të Cashkës, që ata të mësojnë në gjuhën amtare.

“Kisha takim me Ministrin e arsimit, kryetarin e Komunës së Çashkës, kryetarin e Këshillit, një këshilltarë, drejtoreshën e shkollës dhe me përfaqësues të këshillit të prindërve. I përpunuam të gjitha argumentet që janë pjesë e debatit që zhvillohet në Çashkë. Sigurisht nga unë nuk mund të prisni asgjë përveç konceptit “Një shoqëri për të gjithë”. Është e rëndësishme që përmes diskutimit të gjendet zgjidhje ku para se gjithash janë të drejtat e njerëzve, jo Kushtetuta, apo ligjet. E drejta e njerëzve për të mësuar në gjuhën amë është punë e madhe”, tha kryeministri Zoran Zaev.

E fjalimi për paralelen shqipe dhe koncepti “Një shoqëri për të gjithë” si duket i pëlqeu edhe Kryetarit të Parlamentit evropian David Sasolit.

“E gjithë kjo që folët ju kryeministër është shumë evropiane”, u shpreh Kryetari i Parlamentit Evropian.

Kryeministri Zaev ftoi edhe opozitën të bashkëpunoj dhe të gjejnë një zgjidhje për nxënësit shqiptar të Çashkës. Ministrin e arsimit e kërkuam për të na njoftuar rreth takimit, por nuk morëm përgjigje. Në komunën e Çashkës kryesisht në Çashkë në shkollën fillore “Todor Janev” edhe pse ka nxënës shqiptar asnjëherë nuk ka pasur paralele shqipe, ndërsa nxënësit shqiptar janë detyruar të mësojnë në gjuhën Maqedonase.

Kur prindërit shqiptarë kërkuan hapjen e paraleles shqipe në Çashkë, prindërit e nxënësve maqedonas dolën në protesta kundër kësaj ideje./21Media