Zaev me lot në sy paralajmëron qeveri të re

Gruevski e kundërshton, partitë tjera e përkrahin

Me varrë në fytyrë dhe me lot në sy, por i vendosur që të vazhdojë luftën për të ardhur në pushtet, kjo mund të vërehej nga fytyra e kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, ende pa e thënë asnjë fjalë. Dhunën e mbrëmshme e konsideron si tentim për vrasje me paramendim, kurse si iniciues i potencon Nikolla Gruevskin, Gjorgje Ivanovin, Trajko Veljanovskin, Mitko Çavkovin dhe bashkëpunëtorët e tyre. Megjithatë, Zaev zgjedhjen e Xhaferit për kryetar të kuvendit e konsideroi si hap të rëndësishëm drejt formimit të qeverisë, shkruan tv21.tv

“Ajo që më së paku e pres është dorëzimi i kabinetit kryetarit të ri të kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Të dërgohet letra drejt Ivanovit në afat prej 10 ditëve, dhe shpresoj që në afat prej tre ditëve të jepet mandati për formimin e qeverisë, institucionet të kthehen nën kontroll dhe Maqedonia të ecë para”, tha Zoran Zaev, LSDM.

Lidhur me kërkesën e Ivanovit për takim liderësh, Zaev tha se as që mendon të merr pjesë. Kërkesën e Ivanovit nuk e merr parasysh as kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai thotë që është në koordinim me partnerët e shumicës parlamentare për hapat e ardhshme që duhet të ndërmerren.

“Mendojmë që Ivanovi është pjesë e problemit e jo pjesë e zgjidhjes, dhe nuk mendoj që vendimi në kryesi do të jetë që ne ti përgjigjemi thirrjes së Ivanovit. Duhet të përdoren mekanizma tjerë për ti ulë palët dhe gjakrat, dhe të shihet se cilat masa duhet të ndërmarrë në të ardhmen”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Ahmeti gjithashtu dënoi dhunën në kuvend, dhunë nga e cila më së shumti pësoi kreu i LR PDSH-së, Ziadin Sela.

“Jam i lumtur të deklaroj që më në fund fashizmit totalitar Gruevskijan i erdh fundi! Jam i trishtuar të deklaroj që ata që paguan çmimin e këtij kapitullimi janë njerëz të pafajshëm”, u shpreh Arben Taravari, LR-PDSH.

Edhe pse të gjithë institucionet ndërkombëtare uruan Talat Xhaferin për postin e ri, Nikolla Gruevski dhe VMRO DPMNE-në, nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga propozimi i tyre për zgjedhje të parakohshme.

“Bëj thirrje që të pranohet iniciativa e presidentit Ivanov për takim liderësh, me qëllim që të gjendet zgjidhje institucionale në rrugë paqësore, pa dëmtime më të mëdha për shtetin dhe qytetarët. Vetëm nëpërmjet dialogut mund të dilet nga kriza. Secili opsion tjetër çon drejt kaosit dhe dëmtimit të shtetit”, u shpreh Nikolla Gruevski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Gruevski dënoi aktet e dhunës, por tha se populli ka të drejtë që ta mbrojë shtetin e vet./21Media

 

 

Back to top button