"Erdha i inkurajuar për shkak se mora përkrahje edhe nga vendet që ishin të rezervuar"

“Erdha i inkurajuar për shkak se mora përkrahje edhe nga vendet që ishin të rezervuar”

Pas Konferencës së Berlinit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev thekson se është më optimist për fillimin e negociatave për anëtarësim të vendit në BE, në qershor, edhe pse një pjesë e mediave botërore transmetuan se porositë nga Merkel dhe Makron janë dëshpëruese, se nuk do të ketë fillim të negociatave. Zaev mohon se ka pasur “dush të ftohtë” në Berlin dhe thotë se në margjina të Konferencës ka pasur takime të ndara me Merkel dhe Makron, ku është inkurajuar të vazhdojë me reformat.

“Ne i plotësuam të gjitha kushtet. Katër  pikat që i kërkuan – luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në gjyqësi, reforma në strukturat e sigurisë dhe reforma në administratën publike si hapa konkrete, janë realizuar. Erdha i inkurajuar për shkak se mora përkrahje edhe nga vendet që ishin të rezervuar, ata do ta tregojnë atë kur të vijë koha. Unë gëzohem për vendin tonë dhe besoj se këtë optimizëm duhet ta shpërndajmë me të gjithëve”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Me qëndrim të kundërt doli lideri i opozitares VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

“Zoran Zaev me kandidatin e tij për president prej 102,5%, përsëri shëtit nëpër Maqedoninë. Kanë thënë “ja për dy muaj do të marrim datë”, por, për fat të keq, pamë se nuk ka asgjë, as datë, as perspektivë të shkëlqyeshme evropiane për Republikën e Maqedonisë”, theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Euro-komisari Johanes Han, pohon se ka ardhur koha për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Ai këtë e ka shkruar në profilin e tij në Twitter me rastin e 15 vjetorit nga anëtarësimi i 10 vendeve nga Evropa e Mesme dhe Lindore në BE, duke shtuar se ky është një projekt ambicioz i bazuar në përpjekjet dhe vizion të përbashkët për të siguruar paqe, prosperitet dhe siguri për të gjithë qytetarët e Bashkimit Evropian.

Ky vizion u realizua dhe tani është koha që të shikojmë përpara dhe ta përfundojmë projektin për bashkimin e Evropës dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor. Jam i sigurt se me angazhime të përbashkëta ky do të jetë sukses për të dyja palët. Së bashku jemi më të fuqishëm”, potencoi Eurokomisari, Johanes Han.

Ambasadori francez në vend, Kristijan Timonie, në intervistë për AIM (MIA) i përshëndeti përpjekjet e vendit tonë, por shtoi se bazë për fillimin e negociatave do të jenë reformat në sundimin e së drejtës.

“Ato përpjekje duhet të vazhdojnë. Në këtë mënyrë Maqedonia e Veriut dhe i gjithë rajoni do ta marrin vendin e premtuar në suazat e konstruksionit të ripërtërirë evropian, gjë për të cilën Franca angazhohet në mënyrë të veçantë. Ne gjithmonë kemi thënë se progresi i vërtetë mund të vërehet përmes kritereve të sundimit të së drejtës dhe se ai është bazë për fillimin e negociatave”, u shpreh Kristian Timonie, Ambasador i Francës.

Përndryshe, Raporti i Komisionit Evropian për vendin tonë duhet të publikohet më 29 maj, ndërsa vendet anëtare do të duhet ta vendosin zgjerimin në agjendën e Këshillit për punë të përgjithshme, në mes të qershorit./21Media