"Kjo do të thotë do të duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme"

“Kjo do të thotë do të duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”

Kryeministri Zoran Zaev në Bruksel u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të huaj, të cilët interes më të madh kishin për Marrëveshjen e Prespës, për zbatimin e këtij procesi, por edhe për rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së dhe NATO-së. Pyetjes se cilat do të jenë pasojat nëse Këshilli Evropian nuk e pranon rekomandimin e Komisionit Evropian që vendi të fillojë negociatat për aderim në BE, Zaev ka thënë se Qeveria mund të bie por edhe të ketë zgjedhje të parakohshme. Para disa ditëve Komisioni Evropian publikoi raport pozitiv për përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe dha rekomandim të pakushtëzuar për fillim të negociatave aderuese. Mbetet të shohim çfarë vendimi do të sjellin vendet anëtare, përkatësisht Këshilli Evropian.

“Që të arrihet konsensus në Kuvend, kjo donte të thotë netë pa gjumë, negociata me palë të ndryshme, opozitën, partitë e ndryshme, shoqërinë civile, odat ekonomike, sindikatat, por arritëm të kemi konsensus. Dhe tani nëse Evropa nuk jep datë, me shumë gjasa Qeveria do të shkatërrohet. Kjo do të thotë do të duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, ekonomia të ndalojë, askush nuk mund të investojë në periudhën parazgjedhore dhe gjatë zgjedhjeve, përgatitje e Qeverisë, do të humbim gjashtë muaj”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev./21Media