“Nuk ka ftesë të tillë"

“Nuk ka ftesë të tillë”

Qeveria e RMV-së nuk ka marrë ftesë e nuk mendon për anëtarësim në Unionin Euro Aziatik për ekonomi. Pas informacioneve në disa media se pas mos marrjes së datës për negociata, RMV dhe Shqipëria kanë marrë ftesë nga përfaqësuesi i përhershëm rus i BE-së, Vlladimir Çizhov, për anëtarësim në Unionin Euro Aziatik, kryeministri Zaev tha se prioritet për vendin tonë mbetet BE-ja.

“Nuk ka ftesë të tillë, nëse ka atëherë sigurisht ka ndonjë membranë mbrojtëse, mur rreth qeverisë për të arritur ftesë e tillë deri te ne. Nuk na shkon ndërmend një punë e tillë. Jo, nuk ka ftesë të tillë dhe shpresoj se as nuk do të arrijë një ftesë e tillë”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Siç transmetojnë një pjesë e mediave, Çizhov ka folur për ftesën në Forumin ekonomik të Euro Azisë, të premten, i cili u mbajt në qytetin italian Veronë, ku ai kinse ka theksuar se Shqipëria dhe RMV më shpejtë do të bëheshin anëtarë të këtij unioni.

“Unë jam i sigurt se vendet që janë kandidatë për anëtarësi në BE para pak kohe janë vënë “nën akull” nga Brukseli, do të mundeshin të hasin në mirëkuptim nga Unioni Euro Aziatik”, tha Vlladimir Çizhov.

Para 5 ditëve, Republika e Serbisë e cila tashmë i ka filluar negociatat me BE-në, në Moskë nënshkroi marrëveshje për tregti të lirë me Unionin Euro Aziatik. Pas nënshkrimit, kryeministrja Bërnabiq tha se kjo marrëveshje ka rëndësi të madhe për Serbinë dhe se hyrje në zonën e tregtisë së lirë me vendet e këtij unioni do të rritet eksporti e produkteve të tyre deri në 97%. Menjëherë pasi Bërnabiq e nënshkroi këtë marrëveshje arriti reagim nga Brukseli prej ku theksuan se Serbia duhet ta rishqyrtojë këtë hap, ndërsa nëse dëshiron të bëhet pjesë e BE-së, duhet ta anulojë këtë marrëveshje.