Ministri iranian akuzon SHBA-në dhe aleatët e tyre

Ministri iranian akuzon SHBA-në dhe aleatët e tyre

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre se janë duke kthyer Gjirin Persik në një “fuçi me barut që është gati të shpërthejë”, duke “dërguar armë” në rajon.

Zarif është cituar nga mediat ndërkombëtare të ketë thënë edhe se pozicionimi i më shumë anijeve luftarake në Gjirin Persik mund të rezultojë me më shumë pasiguri, shkruan rtv21.tv

Ministri i ka bërë këto komente teksa marrëdhëniet në mes të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara vazhdojnë të jenë të tensionuara, meqë Washingtoni është tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore në vitin 2015.

Përveç kësaj, SHBA-ja ka nisur sanksione ndaj Iranit duke synuar që t’i dëmtojë këtij shteti sektorin bankar dhe atë të naftës.

Shqetësimet për përshkallëzim të situatës janë rritur pas një serie të përballjeve në det, meqë forcat iraniane kanë kapur një anije me flamur të Britanisë së Madhe në Ngushticën e Hormuzit.

Më herët gjatë këtij muaji, Britania ka njoftuar se do t’iu bashkohet Shteteve të Bashkuara në një “mision ndërkombëtar për siguri” me qëllim të rritjes së sigurisë së anijeve dhe interesave tjera në Gjirin Persik.

Ndërkohë Zarif ka thënë Irani “nuk heziton që të mbikëqyrë sigurinë e saj” në këtë Ngushticë, përmes së cilës realizohen transporte ndërkombëtare të naftës dhe gazit nga Lindja e Mesme.

Aktualisht, Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton gjendet në Londër për një vizitë dyditore, gjatë së cilës pritet t’i kërkojë Britanisë qasje më të ashpër ndaj Iranit./21Media