Zbulohet busti i Skënderbeut në Klinë

Akademi përkujtimore për 575 vjetorin e Lidhjes së Lezhës

Komuna e Klinës ka mbajtur një akademi përkujtimore kushtuar 575 vjetorit të Lidhjes së Lezhës, ku u çmua lart kontributi i Lidhjes së Lezhës dhe roli i heroit kombëtar-Gjergj Kastriot Skënderbeu. Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj u shpreh se përmes Kuvendit të Lezhës gjithë prijësit e shqiptarëve janë bërë një.

Sipas tij, nëse ka një vepër që ka lënë gjurmë të thella në historinë e shqiptarëve, ajo është  lufta, trashëgimia dhe  doktrina e Skënderbeut.“Nëse një vepër jeton pas protagonistit, do të thotë ajo vepër ka qenë e madhe. Nëse ka një vepër e shqiptarëve që ka jetuar pas kohës, pra pas jetës së protagonistit kryesor është vepra dhe lufta e trashëgimia e doktrina të cilën e ndërtoj dhe zbatoj krye heroi ynë. Pra protagonisti që jemi bashkuar sot, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në kohën e tij, jo vetëm pikëpamja e tij, por pikëpamja e krejt prijësve tanë shqiptar ishte kërkimi pra, kërkonin mënyrën që me u kthyer tek vetja. Ajo mënyrë është penguar dhe dëmtuar nëpër etapa dhe kohë. Pra shqiptarët kanë ekzistuar , por pjesë pjesë, ndryshe ndryshe, por nuk ishin një. Krejt kjo histori e madhe që ka mbijetuar në shekuj, diku e ka pikënisjen. Pikënisja është tek momenti kur janë bërë një. Pra tek kuvendi i Lezhës tek ata prijësa të mençur që ditën me bashku kombin në një përpjekje më të madhe dhe vështirë që kishin para vetës”, u shpreh Haradin aj.

Ndërsa, kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj vlerësoi lart kontributin e Skënderbeut ndër shekuj. Sipas tij, ky bust që po  lartohet është dhe një çmim për vlerat e shenjta të popullin tonë qysh nga thellësitë e shekujve.“Busti i Gjergj Kastriot Skënderbeut,monumenti historik krye heroit tonë kombëtar po vjen i skalitur në bronz në vendin e vet. Aty ku ka munguar, aty ku do të qëndroj vertikalisht përgjithmonë në qiellin shqiptar. Ky bust që po e lartësojmë është dhe një çmim për vlerat e shenjta të popullin tonë qysh nga thellësitë e shekujve. Në krye me krye heroin Gjergj Kastriot Skënderbeun më vonë dhe shumë të tjerë, e deri tek lufta e lavdishme e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, më në krye me krye komandantin legjendar, Adem Jashari, Mujë Krasniqin i cili me shumë krenari pranë vetës po e pret heroin Skënderbe dhe që nga sot dhe më tutje kohërat dhe historitë që do të rrjedhin do t’i kaptojnë bashkë”, tha ai.

Kurse nga ‘Forumi i intelektualeve Luigj Gurakuqi”, në Klinë, Pal Canaj u shpreh se figura e Skënderbeut shpreh në esencë unitetin dhe lirinë tonë kombëtare. Siç thotë ai, përmes  karakteristikave të rezistencës autentike të ideuara ka perëndimi. “Në shënimin e këtij përvjetori në qytetin tonë do të inaugurohet busti i krye heroit tonë kombëtar. Figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, shpreh në esencë unitetin dhe lirinë tonë kombëtare. Përmes karakteristikave të rezistencës autentike të ideuara ka perëndimi”, deklaroi Canaj.

Mes tjerash, pas përfundimit të kësaj akademie përkujtimore, në qendrën e qytetit në Klinë u përurua busti i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Back to top button