Dy partitë opozitare u takuan gjatë ditës së sotme

Dy partitë opozitare u takuan gjatë ditës së sotme

Pas nominimit zyrtar të Vjosa Osmanit si kandidate për kryeministre nga ana e LDK-së, udhëheqësit e kësaj partie u takuan me Lëvizjen Vetëvendosje.

Edhe pse pas takimit nuk kishte ndonjë prononcim për media, nënkryetari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi ka bërë të ditur se çfarë është biseduar në takim.

Ai me anë të një shkrimi në profilin e tij në Facebook tregoi se në takim morën pjesë ai së bashku me Albin Kurtin e Glauk Konjufcën, teksa nga ana e LDK-së të pranishëm ishin Isa Mustafa, Vjosa Osmani e Lutfi Haziri.

Temë kryesore e bisedimeve sipas tij ishte çështja e një koalicioni të mundshëm parazgjedhor, që do të kishte si qëllim çkapjen e shtetit nga Klani Pronto duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, shkruan rtv21.tv.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbi 10 muaj që ka dërguar një propozim konkret tek z. Mustafa për modalitetet e ndërtimit të qeverisjes së ardhshme si dhe prioritetet kyçe, dhe mund të themi që nga ajo ditë nuk ka ndryshuar as edhe një germë nga kjo”, shkruan Bislimi në Facebook, duke shpalosur planin e tyre për vendosjen e Albin Kurtit në krye të qeverisjes së ardhshme, me mundësi rotacioni për dy mandate.

Ai gjithashtu ka cekur se të dyja partitë janë marrë vesh që në asnjë mënyrë të mos kenë takime me subjektet tjera pjesëmarrëse në zgjedhje./21Media