Zeka jep detaje rreth intervistimit të Lushtakut në Hagë

Lushtaku do të intervistohet nesër nga ora 10:00

Nesër pritet të intervistohet Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku. Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka sot ka bërë të ditur se ka arritur në Holandë me ish-komandantin e Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtakun, i cili pritet të intervistohet në Hagë.

Siç ka bërë të ditur Zeka, neser në orën 10:00 do të fillojë intervistimi i gjeneralit Lushtaku.

Zeka përmes një postimi në facebook është shprehur se pas pak do të takohen me një avokat, i cili ka qenë prokuror kundër Millosheviqit.

“Bashke me Gjeneralin Sami Lushtaku dhe deputetin Mergim Lushtaku, kemi arritur ne Holand. Pas pak pritet takimi me avokatin britanez, i cili ka qene prokuror kunder Millosheviçit ne Tribunalin e Hages.”, ka shkruar Zeka në facebook, duke shtuar edhe dy foto.

Zeka ka shkruar se ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi ende është duke u marrë në pyetje.

Mustafa po merret në pyetje për të dytën ditë me radhë në Prokurorinë Speciale për Krime Lufte në Kosovë. Mustafa hyri në selinë e kësaj prokurorie në Hagë, i shoqëruar nga avokati i tij, Arianit Koci, pak para orës 10 të mëngjesit, por asnjëri prej tyre nuk folën për media.

Gjithsej, 11 ish-luftëtarë të UÇK-së, sipas OVL të UÇK-së janë ftuar për intervistë nga Prokuroria e Specializuar./21Media

 

 

Back to top button