Zeka: PDK e LDK e shkatërruan Telekomin

Zeka: PDK e LDK e shkatërruan Telekomin

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, në seancën e jashtëzakonshme për Telekomin e Kosovës, ka deklaruar se akuzat e rënda të Glauk Konjufcës ishin me vend ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, por që sipas tij, deputeti nga radhët e Vetëvendosjes e ka injoruar qëllimisht kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas Zekës, krimin ekonomik në çdo ndërmarrje publike në Kosovë e kanë bërë PDK dhe LDK.

“Bënë PDK-ja, flladit LDK-ja dhe krimi fillestar në Postë Telekom ka filluar me Lidhjen Demokratike të Kosovës në krye me Ilir Salihun. Ai e ka fillua krejt këtë marre. Pastaj kanë ardhur marritë tjera, e Etrur Rrustemin, me Adnan Merovcin, me Shyqeri Haxhën, me Ejup Qerimin dhe varrimin përfundimtar, me varros PTK-në, e ka varros banditi, krimineli Agron Mustafa, i cili është arrestuar në aeroport për vepra penale, ka shkatërruar aeroportin në prezencën e komandantit të policisë të Prishtinës. Ka rrahur femra nëpër restorante dhe asnjë pyetje nuk është marrë ky kriminel”, ka deklaruar Zeka.

Sipas tij, në vitin 2005, PTK  i ka dhënë kredi kompanisë IPKO, për zhvillim, konkurrentit të kompanisë publike dhe fitues i kredisë ka qenë Akan Ismaili, mik i presidentit Hashim Thaçit dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli.

“Dhe a e di Albulena se cili hajn ka qenë atje, Akani, jarani më i ngushtë i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Ai Akani, ai picimuli, që u bë pastaj ambasador në Amerikë. Pra, këta e kanë bërë strukturën e krimit të organizuar. Ndërsa, këta ‘gjyksamanët’ e LDK-së që rrahin gjoks kanë shkuar dhe kanë dalë në foto me këtë kriminelin. Ja fotot, e Isa Mustafës me Avdullah Hotin, të cilët kanë përgëzuar Agron Mustafën. E pse (LDK) nuk e ndalën punësimin dhe nuk e kërkuan hetimin. Për çka nuk e bënë një gjë të tillë, sepse në hajni të tenderëve krejt janë bashkë… Djali i Fatmir Sejdiut nuk është i PDK-së. Bardhyli, nëna e krimit është”, ka thënë ai.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë seancës së jashtëzakonshme për Telekomin e Kosovës ka thënë se kontrata me z-Mobile është krim i organizuar dhe faktor kryesor i krizës së Telekomit. E prapa  z- Mobile, sipas Kurtit është presidenti i vendit Hashim Thaçi.

“Kontrata e Telekomit të Kosovës me Dardafon si operator mobil virtual e më pastaj Dardafon. net e më vonë tash me z-Mobile është krim i organizuar dhe është faktori kryesor i krizës në Telekomin e Kosovës. Kontrata me z-Mobile është aktuale dhe dëmet e kësaj kontrate jo-ligjore vazhdojnë të thellohen edhe sot e kësaj dite. Z-Mobile ia plaçkit  mbi çerekun e të hyrave Telekomit të Kosovës. Z-Mobile kësisoj është shndërruar në aksionarin kriminal, i cili e ka një pjesë të Telekomit deri në 30 për qind dhe dëshiron ta marrë të tërën. Prapa z-Mobile qëndron ish-kryeministri tash president dhe ish-shefi i shefave nga klani pronto, i cili njërit prej vëllezërve Devolli i ankohej se i është tharë fyti. Z-Mobile pra është kali i Trojës, të cilin gjaku ia imponoi dhuratë postës edhe Telekomit të Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka deklaruar se se sot në këtë seancë të jashtëzakonshme duhet të flitet për Prokurorinë dhe Policinë, të cilët sipas tij duhet të veprojnë.

Sipas tij, duhet të hetohet kontrata me z-Mobile, kontratë kjo që sipas tij ishte goditja më mizore kundër Telekomit të Kosovës. Ai ka pasur kritika edhe ndaj drejtorëve dhe menaxherëve të kësaj ndërmarrje, për të cilët tha se janë jo kompetentë dhe pa integritet.


Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në seancën e jashtëzakonshme për Telekomin e Kosovës, ka deklaruar se Kuvendi për herë të dytë sot po debaton për këtë kompani. Hoti ka thënë se më 12 korrik 2018 ky Kuvend i ka kërkuar Qeverisë për marrjen e masave të nevojshme për të nxjerr Telekomin nga gjendja e rëndë financiare. Sipas tij, në atë rezolutë është kërkuar jo më shumë, vetëm për ta zbatuar ligjin për ndërmarrjet publike dhe të anulojë çdo vendim që bie ndesh me këtë ligj.

Më tej Hoti ka deklaruar se kriza është thelluar, përkundrazi, është rritë punësimi mbi baza të pastra nepotiste dhe politike. Po ashtu sipas tij, auditimi nuk është bërë dhe kryeministri nuk ka raportuar për këtë çështje në Kuvend.

“Pse po falimenton sot Telekomi? E para Telekomi nuk është duke falimentuar se nuk ka treg, Telekomi po falimenton për shkak të kontratave të dëmshme me kompani private që po shfrytëzojnë Telekomin pa asnjë kriter ekonomik dhe të përfitimit të ndërsjellë. Këto kontrata janë bërë për të shkatërruar Telekomin dhe për të fituar grupe të caktuara. Kontrata me  Z-mobile, me zero investime nga kjo kompani, i ka sjellë Z-mobile mbi 100 milionë euro të ardhura. Një ish drejtor i Telekomit, ka deklaruar publikisht se ish kryeministri Thaçi, i ka bërë presion për të nënshkruar këtë kontratë”, ka deklaruar ai.

Ai ka treguar se si ka operuar Telekomi në dhjetë vitet e fundit. Në vitin 2007, statistikat nga Telekomi tregojnë që ka pasur fitim 182 milionë, ndërkaq në vitin 2017 ka deklaruar humbje 13.8 milionë euro. Sipas Hotit, gjatë viteve 2007-2017 ndërkohë që të hyrat ishin në rënie, shpenzimet për paga dhe marketing ishin në rritje që është kundër çfarëdo logjike ekonomike.


Në Kuvend po diskutohet për gjendjen në Telekom

Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të thirrur me kërkesë të GP të Lëvizjes Vetëvendosje dhe mbështetur edhe nga LDK-ja ka nisur diskutimet lidhur me gjendjen në Telekomin e Kosovës dhe masat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në zbatimin e Rezolutës nr. 06-R-013, dt.12.07.2018 lidhur me gjendjen financiare në Telekom dhe Postën e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca ka thënë se falimentimi i Telekomit është bërë qëllimshëm me një skenar të autorit të këtij krimi të organizuar me përfitime qindra milionëshe nga akterët e pushtetit në bashkëpunim me pronarët e Dardafonit, dhe me protagonistët kryesor ish kryeministrin e vitit 2009, Hashim Thaçi dhe me PDK-në.

“Telekomi është në buzë të falimentimit, ky nuk është një bankrotim spontan as sipas ligjeve të tregut, është një shkatërrim i qëllimshëm dhe një skenar me paramendim. Autor të këtij krimi të organizuar me përfitime qindra milionëshe janë akterët e pushtetit në bashkëpunim me pronarët e Dardafonit. Protagonisti kryesor në pushtet ishte kryeministër i vitit 2009, Hashim Thaçi. Akretët kryesor të Telekomit ishin, Shyqeri Haxha dhe Rexhë Gjombalaj. Biznesmenë janë Grupi Devolli, kurse partia orkestruese e krejt kësaj pune në Telekom, pa dyshim që është PDK-ja e Kadri Veselit”, ka deklaruar Konjufca.

Përveç mbi punësimeve në Telekom, Konjufca ka deklaruar se Telekomi vazhdimisht ka shërbyer si parajsë e tenderëve të majmë dhe keqpërdorimeve të pa llogaritshme financiare.

“Fillimisht ndaj Telekomit të Kosovës prej partive në pushtet është aplikuar një politikë e pa mëshirshme e punësimeve pa kriter. Një prej aseteve më të rëndësishme të Republikës sonë, është abuzuar në mënyrën më të ligë. Telekomi vazhdimisht ka shërbyer si parajsë e tenderëve të majm dhe keqpërdorimeve të pa llogartishme financiare. Pushtetarët kanë vendos edhe deri në cilat oborre të vendosen antenat e Telekomit për vjeljen  qirasë. Mbi ngarkesat e përballueshme me punësime nepotike, zhvatje përmes tenderëve si dhe keqpërdorimet e parave e kanë shtrirë Telekomin e Kosovës për tokë”, ka thënë ai.

Sipas tij, një kompani e suksesshme që para dhjetë viteve i sillte Kosovës të hyra 100 milionë euro në vit, sot është mbytur në borxhe.

Konjufca ka deklaruar se kjo nuk ka lidhje me ekonominë e tregut, kjo është skenë e mashtrimit mafioz mulitimilionësh. Sipas tij, ajo që spikat dhe përmbanë kulmin e së keqës, është pa dyshim kontrata mes Telekomit dhe Dardafonit e lidhur në vitin 2009, pikërisht në vitin kur të ardhurat e PTK-së ishin në kulmin e vet, rreth 100 milionë euro në vit.

Ai ka shtuar se operatori Z Mobile, në të cilin ka punuar edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka e ka ngrënë dhe është duke ngrënë Telekomin e Kosovës.

Sipas tij, jo vetëm që Dardafoni përfitoi qindra miliona euro nga një kontratë skandaloze dhe në dëm të interesit publik, por tash dëshiron t’ia merr Qeverisë së Kosovës edhe 30 milionë euro shtesë.