Zemaj: Çka po ndodh me tërheqjet e njohjeve

Zemaj foli edhe për një rrezik me të cilin po kërcënohet rinia e Kosovës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka deklaruar se është shqetësuese tërheqja e njohjeve nga shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës, pasi përveç dobësimit si shtet, ka rrezik permanent të zërit të shteteve që janë kundër vendit tonë.

Zemaj në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se qeveria dhe Ministria e Punëve të jashtme, nuk po jep përgjigje korrekte për tërheqja e njohjeve nga shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Është shqetësuese, më tepër se sa shqetësuese është fenomeni që nëse vazhdon me këtë tërheqjeje të njohjeve nga shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës, atëherë neve po rrëshqasim jo vetëm në dobësim por edhe në atë që e kemi quajtur rrezik permanent të zërit të shteteve që janë kundër Republikës së Kosovës dhe fenomenit tjetër të diplomacisë serbe e cila po mbizotëron mbi punën dhe aktivitetit 10 vjeçar të shtetit dhe të diplomacisë Kosovare, andej ne thërrasim që të kemi përgjigje“, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për një rrezik, me të cilin po kërcënohet rinia e Kosovës.

“Rinia e Kosovës, nxënësit në Republikën e Kosovës çdo ditë po kërcënohen nga trafikantët e drogave dhe shpërndarësit e tyre. E lus Qeverinë e Kosovës, i bëj thirrje ministrisë së punëve të brendshme që ta shtoj aktivitetin mbikëqyrës rreth shkollave fillore dhe të mesme dhe nxënësit dhe fëmijët tanë mos bien pre e këtyre që çdo ditë e më shumë po e rrezikojnë të ardhmen tonë“, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova nuk është më vetëm vend transit, por edhe përdorues, që po e shkatërron të ardhmen e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës po mban seancën, në të cilën përveç shqyrtimit për herë të parë të projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, do të shqyrtohet edhe raporti i Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2017. Gjithashtu do të shqyrtohet për herë të dytë edhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Familjen i Kosovës.

Back to top button