Zero Pozitive dhe Stone Castle i dalin në ndihmë mbi 100 familjeve

Dy kompani vendore ndihmojnë mbi 100 familje me pako ushqimore dhe veshmbathje

Kompania Zero Pozitive dhe kultivuesja e verës Stone Castle, kanë ndërmarrë një aksion humanitar në komunën e Obiliqit. Këto dy kompanitë vendore gjatë këtij aksioni kanë ndihmuar mbi 100 familje në asistencë sociale me pako ushqimore dhe veshmbathje në këto ditë të ftohta dimri.

Përfaqësuesi i Zero Pozitive, Genc Meraku u shpreh se kjo iniciativë e tyre në qytetin e Obiliqit është vetëm fillimi i një varg ndihmash që ata do t’i bëjnë në disa qytete të Kosovës. “Kjo është një gjë e vogël, nuk mundet secili prej nesh me bërë ndryshime të mëdha, por ndryshimet e vogla kur bëhen me zemër të mëdha janë shumë të rëndësishme. Ato kur vazhdojnë dhe krijojnë një traditë,  janë dhe më te rëndësishme që të tjerat të vazhdojnë” , tha Meraku  që po vazhdon atë traditën që kanë filluar tash e disa vjet.

Ismet Hulaj nga Stone Castle, ka folur për rëndësinë e këtij aksioni ku sipas tij kjo tashmë është shndërruar  në traditë dhe do të vazhdojnë dhe në qytetet  tjera.“Ne e kemi shndërruar në traditë, duke shpërndarë ndihma humanitare kësaj shtrese të popullatës e cila ka nevojë për ndihma. Nuk  kemi dashur të jemi lokalist të shtrijmë aktivitetin tonë vetëm në komunën e Rahovecit dhe Deçanit. Por, kemi dashur që të solidarizohemi dhe me komuna të tjera. Nuk është hera e parë që dhurojmë ndihma të tilla”, tha Hulaj.

Ndërsa,  kryetari i komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, tha se ky veprim i dy kompanive vendore ka qenë shume i nevojshëm në komunën që udhëheq. Sipas tij, shumë familje janë në gjendje të keqe sociale dhe me anë të këtij veprimi në një formë atyre do t’i lehtësohet gjendja. “Jemi shumë mirënjohës, e dimë që në komunën tonë ka shumë nevojë për ndihma, por ka nevojë dhe për punë, po shpresojmë qe të ardhmen do të ulen rastet sociale, duke u bazuar dhe në implementimin e Ligjit për Obiliqin dhe shpresojmë që një pjesë e qytetarëve do të inkuadrojmë nëpër KEK dhe do të përdorim edhe strategji të ndryshme, duke filluar nga bujqësia me qëllim që të krijojmë vende të reja të punës për qytetarët tanë”, tha Gashi.

Përzgjedhja e familjeve që janë ndihmuar është bërë nga Drejtoria për Shëndetësi e komunës së Obiliqit. Drejtori Ibush Mjekiqi tha se  fokus kryesor ka qenë tek nënat vetushqyese.

Njëra këto gra përfituese,  tha se këto pako  janë shumë të nevojshme, pasi gjendja sociale e tyre është mjaft e rëndë. “Shumë jena të kënaqur…deri diku i plotësojnë, me pension 75 euro jetoj”, tha ajo.

Komuna e Obiliq është  ndër komunat që ka më së shumti familje me asistencë sociale, ku vetëm vitin e kaluar janë lajmëruar mbi 800 familje që kanë nevojë për ndihmë.

Back to top button