Pacolli në Kuvajt

Pacolli në Kuvajt

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, po merr pjesë dhe do t’i adresohet me një fjalim takimit ministerial të Koalicionit Botëror kundër ISIS-it, i cili po mbahet sot në Kuvajt.

Ky takim, ka për qëllim që të koordinojë përpjekjet e shteteve anëtare në përballjen e tyre me kërcënimet terroriste, jo vetëm në Siri dhe Irak, mirëpo në gjithë botën.

Konferenca do të bashkë-drejtohet nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shtetit të Kuwait-it, Sheikh Sabah Al-Khaled Al-Sabahand dhe sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson.

Në margjina të këtij takimi, Pacolli është takuar me shumë homologë të tij nga vende të ndryshme të botës, duke përfshirë sekretarin amerikan, Rex Tillerson, përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, si dhe ministrat e Jashtëm të Jordanisë, Libanit, Katarit dhe të tjerë.

Ministrat e Jashtëm dhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë të 74 parterëve të Koalicionit Global kundër ISIS-it, që përfshinë shtetet anëtare dhe Organizata Ndërkombëtare, janë takuar në Kuwait, që të riafirmojnë vendosmërinë në këtë qëllim.

Qeveria e Republikës së Kosovës në fund të vitit të kaluar kishte ndarë mjete financiare në vlerë prej 100 mijë dollarë amerikan për koalicionin anti-ISIS.