Hoxhaj, sot ka marrë pjesë në konferencën me donatorë të organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës

Hoxhaj, sot ka marrë pjesë në konferencën me donatorë të organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, sot ka marrë pjesë në konferencën me donatorë të organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës “Regjistrimi  i popullsisë dhe banesave në Kosovë – 2021”.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj, ka thënë se statistikat zyrtare dhe përdorimi i tyre në institucionet vendimmarrëse në Republikën e Kosovës, mundësojnë zhvillimin e politikave të qëndrueshme, ndërsa sistemi statistikor i Kosovës është njëri ndër sistemet më të rëndësishme të vendit në kuadër të të cilit Qeveria merr bazën për hartimin e politikave për vendin dhe njëkohësisht janë referencë për donatorët e huaj që të investojnë në Kosovë.

Duke folur për regjistrimin e dytë të popullsisë që do të ndodhë në vitin 2021, zëvendëskryeministri ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që ky proces të shtrihet në gjithë territorin e vendit, bëhet e ditur në komunikatën për media.

Hoxhaj ka ftuar donatorët ta mbështesin këtë projekt madhor, pasi që mbështetja për këtë projekt, është mbështetje direkte për shtetin e Kosovës.

“Këtë projekt Qeveria e Kosovës e konsideron si një nga projektet më madhore të vendit, pasi që ka të bëjë me të dhëna dhe indikatorë shumë të rëndësishëm, në çdo fushë të jetës. Regjistrimi i popullsisë  do të bëhet në tërë territorin Republikës së Kosovës në vitin 2021, prandaj ftoj të gjithë donatorët e pranishëm që ta mbështesin këtë projekt madhor”, ka thënë Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka falënderuar donatorët e huaj e në veçanti EUROSTAT-in për ndihmën ndaj Agjencisë së Statistikave të Kosovës. 21Media