Sipas zëdhënësit të KQZ-së ka thënë se procesi i aplikimit si votues jashtë Kosovës është duke vijuar normalisht

Sipas zëdhënësit të KQZ-së ka thënë se procesi i aplikimit si votues jashtë Kosovës është duke vijuar normalisht

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve deri më dje kanë arritur rreth 1 mijë e 600 aplikime të bëra nga diaspora për regjistrimin si votues jashtë Kosovës në zgjedhjet lokale, derisa ata kanë kohë për të aplikuar deri më datën 23 gusht.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se procesi i aplikimit si votues jashtë Kosovës është duke vijuar normalisht, dhe deri në ditën e premte kanë aplikuar për t’u regjistruar gjithsej 1 mijë e 600 persona dhe më shumë se 1 mijë e 400 prej tyre kanë ardhur përmes tri email adresave të shërbimit votues.

Ai po ashtu tha se KQZ po vazhdon me përgatitjet për zgjedhjet lokale dhe faza për regjistrimin si votues jashtë Kosovës është faza më e gjatë e këtij procesi.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vijuar me përgatitjet e zgjedhjeve lokale të cilat do të mbahen më datë 22 tetor të këtij viti, në këtë drejtim ne jemi duke përmbushur detyrimet ligjore të cilat janë të parapara për organizimin e këtyre zgjedhjeve, janë duke u zhvilluar periudha të ndryshme të procesit zgjedhor dhe njëra prej tyre është edhe aplikimi për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Kjo periudhë ka filluar më datë 16 korrik dhe do të përmbyllet më datë 23 gusht 2017 të këtij viti. Pra prej datës kur ka filluar kjo periudhë deri në përfundim mund të themi se kjo është nga periudhat më të gjata sa i përket procesit të zgjedhjeve lokale për shkak të kohës së madhe që ka në dispozicion, pra janë gjithsej 39 ditë. Formularin e plotësuar së bashku me dokumentet të bashkangjitura duhet të arrijnë në komisionin qendror deri në këtë datë, pra deri më 23 gusht. Aplikimi mund të bëhet përmes tri mundësive, përmes fahut postar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pastaj përmes faksit të KQZ-së dhe përmes ndonjërës nga tre email adresat të cilat janë të shërbimit votues të cilat janë në dispozicion”, tha Elezi.

Sipas tij përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor 2017 janë duke shkuar sipas dinamikës së paraparë në planin operacional, i cili është miratuar menjëherë pasi që janë shpallur zgjedhjet lokale.

Lidhur me votimit e diasporës nëpër ambasada e konsullata, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se mënyra e regjistrimit për votim të jashtëm është e rregulluar me ligj dhe rregulla zgjedhore.

Mirëpo, kryesuesi i Departamentit për çështje të diasporës në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Jahja Lluka ka thënë se duhet të bëhen ndryshime ligjore me qëllim që diaspora të votojë në ambasada dhe konsullata ku ata jetojnë.
“Duhet të ndryshohet ligji për arsye se na duhet t’iu mundësojmë mërgimtarëve tonë të votojnë nëpër ambasada, konsullata dhe nëpër qendra kulturore sepse kjo është puna më e shkurt, më e mirë, dhe më e ndershme edhe për ne edhe për mërgimtarët”, tha ai.

Lluka po ashtu ka thënë si Ministri e Diasporës janë duke insistuar që me ndryshimet e ligjit dhe Kushtetutës të futen edhe vendet e rezervuara për diasporën në Kuvend të Kosovës.

Sipas Llukës ajo çka duhet të bëjë KQZ me qëllim që të kemi sa më shumë pjesëmarrës nga diaspora për zgjedhjet lokale të vendit që do të mbahen më 22 tetor, është rritja e kapacitet të saj deri sa të bëhen ndryshimet ligjore.

Ndërkaq ligji për zgjedhjet e përgjithshme thotë se votuesi me të drejtë vote i cili përkohësisht mungon në Kosovë mund të votojë për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës nëse ai ose ajo ka aplikuar suksesshëm për Votim Jashtë Kosovës dhe ka votuar në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe rregullat e KQZ-së. Dhe vota përmes Votimit Jashtë Kosovës duhet të pranohet nga KQZ-ja para ditës së zgjedhjeve, sikurse përcaktohet me anë të rregullave të KQZ- së.

Ndërkaq, votuesi me të drejtë vote mund të aplikojë për të marrë një fletëvotim për votim jashtë Kosovës duke dorëzuar të plotësuar aplikimin për votim jashtë Kosovës/formularin e regjistrimit të votuesit (“aplikimi përmes-postës”)në formën në dispozicion nga faqja elektronike e KQZ-së përmes tri formave: fahut postar të KQZ-së, faksit të KQZ-së dhe tri email adresave që janë në dispozicion për shërbimet votuese.