Zgjidhja e krizës, një takim i ri i liderëve?!

Sipas Gruevskit zgjidhja më e mirë, zgjedhjet

Edhe pas nëntë ditëve diskutime të ashpra në Kuvend, dhoma ligjvënëse vazhdon të mbetet e bllokuar. Asnjëra nga partitë nuk planifikon të tërhiqet nga pozicionet e tyre. E vetmja Bashkimi Demokratik për Integrim e hapi mundësinë për një takim të ri ndërmjet liderëve i cili do të kontribuonte në tejkalimin e ngërçit politik. Te partitë tjera parlamentare, për momentin nuk ka disponim për një hap të tillë.

Nga Reçica e Vogël theksojnë se nëse bllokimi i Kuvendit vazhdon edhe më tej, atëherë është e hapur mundësia për një takim të ri ndërmjet liderëve.

Nga ana tjetër, për momentin Zaev nuk planifikon të ulet në një tryezë me Gruevskin për të biseduar. Siç thonë nga LSDM, do të presin që Veljanovski dhe deputetët e VMRO-DPMNE-së të ndërgjegjësohen dhe të zgjedhet kryetar i ri i Kuvendit.

“Kemi shumicë legjitime prej 67 deputetëve që është shumë më tepër se 51 deputetët e VMRO-DPMNE-së. Prandaj presim që skenarët e Gruevskit me bllokimin e kuvendit dhe pamundësimin e proceseve demokratike – të përfundojnë sa më shpejtë. Mundësi për një takim të ri ndërmjet liderëve, për momentin nuk ka”, tha Vasko Kovaçevski, LSDM.

Zgjidhja më e mirë, sipas Gruevskit, është që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt, dhe siç thotë, populli të shohë, LSDM të dalë me platformën e tyre të Tiranës që e pranuan, dhe ne, me konceptin tonë për një Maqedoni të qëndrueshme, unitare dhe qytetare.

“Edhe populli e di dhe për këtë shkak është çdo ditë në rrugë, sepse e ndjen se dikush për shkak të interesave personale dhe kriminale nga e kaluara, dhe për pushtet, dëshiron që të rrezikojë interesat shtetërore dhe nacionale”, tha Nikolla Gruevski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së thonë se po veprojnë vetëm në bazë të Rregullores së punës së Kuvendit. Edhe ata shprehen se për momentin nuk ka mundësi për një takim të ri liderësh dhe përsëritën qëndrimin se e vetmja zgjidhje është organizimi i zgjedhjeve parlamentare të parakohshme.

“Deputetët e VMRO-DPMNE-së do të punojnë në përputhje me rregulloren e Kuvendit. Askush s’ka të drejtë ta pengojë ndonjë deputet të flasë nga foltorja e kuvendit. Ne ofruam edhe një manifest që ofron mundësi për të pasur stabilitet në vend, por megjithatë, e vetmja zgjidhje për dalje nga kriza politike janë zgjedhjet e reja”, tha Dragan Danev, VMRO-DPMNE.

Nga Besa konsiderojnë se me respektimin e Rregullores, ekziston mundësia që Kuvendi të debllokohet dhe kërkuan që të shmanget diskutimi që cili siç thanë, nuk kontribuon në zgjidhjen e krizës.

“Mbetemi të përkushtuar në formimin e një qeverie politike stabile e cila do t’i implementonte reformat e nevojshme. Ky qëndrim përputhet plotësisht me qëndrimin e faktorit ndërkombëtar. Derisa ky proces nuk përfundon dhe derisa nuk konsumohen të gjitha mundësitë për formimin e qeverisë, konsiderojmë se nuk është i nevojshëm një hap i tillë, sepse nuk dimë se sa kjo do të kontribuonte në debllokimin e punës së Kuvendit”, tha Orhan Murtezani, Lëvizja Besa.

Edhe nga Aleanca për Shqiptarët shpresojnë se kuvendi do të arrijë të gjejë zgjidhje për dalje nga kriza. Sot, përkundër paralajmërimeve se përfaqësuesit e partive parlamentare do të koordinohen te Vevljanovski para se të vazhdojnë me seancën konstituive që u mbajt të hënën, deri tani kjo nuk ka ndodhur./21Media

Back to top button