Zguri: Nesër shqiptarët kanë mundësinë të bëjnë demokraci

Ai gjithashtu iu bëri thirrje subjekteve politike ta respektojnë ligjin

Kryetarit të KQZ-së në Shqipëri, Klement Zguri nëpërmjet një deklarate ka apeluar te të gjithë qytetarët të marrin pjesë masivisht në votime dhe të ushtrojnë në liri të plotë e në respekt të ligjit të drejtën e tyre kushtetuese, të drejtën e votës.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pavarësisht situatës politike parazgjedhore, ka bërë përpjekje maksimale dhe ka marrë të gjitha masat e duhura, për të realizuar zgjedhje konform standardeve ndërkombëtare. Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur të gjithë punën përgatitore për ditën e votimit dhe është duke mbikëqyrur shpërndarjen e materialeve zgjedhore, nga KZAZ-të drejt qendrave të votimit”, thuhet në deklaratën e Zgurit.

Duke u garantuar mbështetjen e plotë komsionerëve të të gjitha niveleve, Zeguri theksoi se KQZ nuk do të tolerojë askënd që me veprimet apo mosveprimet e tij të cenojë ecurinë dhe përmbylljen me sukses të procesit zgjedhor.

Ai gjithashtu, iu ka bërë thirrje subjekteve zgjedhore të respektojnë rigorozisht ligjin, të ushtrojnë vetfrenim dhe vetkufizim dhe të heqin dorë nga çdo aktivitet apo dalje publike në funksion të fushatës, si dhe mediave, të ndërpresin promovimin dhe anësitë në favor të partive apo kandidatëve.

“Në emër të KQZ-së, u kërkoj institucioneve ligjzbatuese t’i kushtojnë vëmendje të posaçme parandalimit/pengimit të incidenteve, si dhe kapjes e ndëshkimit të dhunuesve të ligjit. Demokracia është pjesëmarrje. Sa më e madhe pjesëmarrja në zgjedhje, aq më e fortë demokracia”, ka thënë ai.

Në këto zgjedhje marrin pjesë 18 parti politike, të cilat kanë regjistruar 2666 kandidatë për deputetë. Kanë të drejtën e votës, 3 milionë e 452 mijë e 260 shqiptarë të cilët janë të regjistruar për të votuar në 5 mijë e 362 qendra votimi.

Zgjedhjet parlamentare do të vëzhgohen nga 5 mijë e 351, nga të cilët 896 janë nga misionet vëzhguese ndërkombëtare./21Media

 

Back to top button