Projekt me vlerë rreth 400 mijë euro

Projekt me vlerë rreth 400 mijë euro

Ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku, i shoqëruar nga kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, inauguroi fillimin e punimeve për rrethrrotullimin në rrugën nacionale, N2 Prishtinë-Ferizaj, tek udhëkryqi i Janjevës.

Zharku theksoi se punimet e rrethrrotullimit do të bëhen për 45 ditë.

“Do të kemi një rrethrrotullim, i cili do të ndërtohet sipas planit dinamik për 45 ditë pune. Përveç kësaj, gati kanë përfunduar punimet e rrethrrotullimi për Magurë, apo te rruga e Burgut. Në këtë komunë është realizuar edhe asfaltimi i rrugës Sllovi-Smallushë-Gadime, ndërsa këtë vit do të vazhdohet me rehabilitimin e rrugës Lipjan-Blinajë, kurse janë duke vazhduar punimet në rrugën Lipjan-Magurë. Në anën tjetër, është paraparë edhe zgjerimi i kësaj rruge në katër korsi nga kjo pjesë deri në Lipjan”, ka thënë Zharku.

Ahmeti fillimisht e falënderoi ministrin për kontributin e tij në realizimin e këtij projekti dhe vlerësoi punimet.

“Fillimin e  këtyre punimeve e vlerësoi si njërin nga projektet më të qëlluara, për arsye se ky vend ka qenë njëra ndër pikat e zeza, në të cilin janë shkaktuar dhjetëra aksidente me fatalitet. Ndërtimi i një rrethrrotullimi të tillë është i një rëndësie të veçantë për qytetarët e komunës së Lipjanit e po ashtu edhe për ata të Kosovës, sepse do të rritet niveli i sigurisë në këtë rrugë”, tha Ahmeti.

Vlera e këtij projekti kap shumën rreth 400 mijë euro dhe do të financohet nga Ministria e Infrastrukturës.

Ndryshe, projekte të tjera, të cilat është duke i realizuar Ministria e Infrastrukturës janë:

Rekonstruimi  i rrugës  Lipjan – Blinaj”, në vlerë prej 200 mijë eurosh.

Rekonstruimi i rrugës “Sadik Shala”- Lipjan, në vlerë prej 200 mijë eurosh.

Ndërtimi i rrugës Vojnovc (Shtime) – Topliqan (Lipjan), në vlerë prej 100 mijë eurosh.

Ndërtimi i rrugës nga fshati Lluga (Lipjan) deri të fshati Radevë (Graqanicë) në vlerë prej 100 mijë eurosh.

Ndërtimi i rrugës “Verbicë e Zhegovcit (Gjilan) – Sllovi (Lipjan) në vlerë prej 500 mijë eurosh./21Media