Hjuston përballet me përmbytje të paprecedenta

Hjuston përballet me përmbytje të paprecedenta

Gjashtë anëtarë të një familjeje konsiderohen të zhdukur dhe ata mund të jenë marrë nga vërshimet e mëdha të ujit, derisa ishin në makinën e tyre në Hjuston, raportojnë mediat amerikane.

Siç raportohet, trupat e tyre nuk janë zbuluar, ndërsa ky informacion iu dha mediave nga tre anëtarë të familjes.

Qyteti amerikan i Hjustonit ndodhet nën kthetrat e stuhisë më të madhe që ka goditur Teksasin në  historinë e shtetit amerikan. Rënia e rreth 70 centimatrave shi në qytet pas uraganit Harvi i ka shndërruar rrugët e tij në lumenj. Deri më tani është raportuar për së paku pesë të vdekur si pasojë e stuhisë, shkruan rtv21.tv

Uragani Harvi ka zbarkuar në tokë si një stuhi e kategorisë katër pasditen e së premtes, para se të humisbte fuqinë dhe të shndërrohej në një stuhi tropikale.

Mëse 2 mijë njerëz janë shpëtuar brenda dhe përreth qytetit të Hjustonit, që është qyteti i katërt më i madh në SHBA, ku rreth 6.6 milion njerëz jetojnë në zonën metropolitane. Një shtëpi e kujdesit shëndetësor e përmbytur në Dikinson, rreth 50 kilometra në juglindje të qytetit të Hjustonit, është evakuuar me helikopter, pas publikimit në mediat sociale të pamjeve të disa grave të moshuara të ulura në një sallë pritjeje të zhytur në ujë, shkruan rtv21.tv

Shërbimi kombëtar i motit i ka përshkruar si të “paprecedenta“ kushtet në qytetin e Hjustonit, së pasojë e stuhisë. Mijëra shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike atje, shumë shkolla janë mbyllur, siç janë mbyllur edhe dy aeroportet kryesore të qytetit, ndërkohë që autostradat janë vërshuar në tërësi./21Media