Sipas Veselit, Zherka ishte shembull i rrallë i përgjegjshmërisë dhe ndershmërisë

Sipas Veselit, Zherka ishte shembull i rrallë i përgjegjshmërisë dhe ndershmërisë

Në moshën 56 vjeçare sot ka vdekur Lekë Zherka, gazetar dhe drejtor shumëvjeçar i mediumeve më të mëdha kosovare.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ngushëlluar familjen Zherka për vdekjen e më të afërmit të tyre.

Thaçi në ngushëllimin e tij ka thënë Musliu kishte dhënë kontribut shumë të madh në zhvillimin e mediave dhe gazetarisë profesionale.

“Më pikëllim mora lajmin për vdekjen e parakohshme të gazetarit dhe drejtuesit të shumë mediave në Kosovë, Lekë Zherka. Ai dha një kontribut shumë të madh në zhvillimin e mediave dhe gazetarisë profesionale. Në këto momente të vështira, bashkëndjejmë me familjen Zherka dhe komunitetin e gazetarëve”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ngushëllime për familjen Zherka ka shprehur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka deklaruar se Zherka ishte njëri prej njerëzve që i dha shumë gazetarisë në Kosovë.

“Lekë Zherka ishte njëri prej njerëzve që i dha shumë gazetarisë në Kosovë. Profesionist i mirëfilltë, shembull i rrallë i përgjegjshmërisë dhe ndershmërisë. Me punën e tij ai kontribuoi në ngritjen dhe zhvillimin e shumë mediave në Kosovë, në edukimin e kuadrove duke ndjekur gjithmonë standardet më të larta të gazetarisë. Ngushëllime familjes dhe miqve për vdekjen e hershme të tij”, ka shkruar Veseli në facebook.


Lekë Zherka Karrierën e kishte filluar në Radio Televizionin e Prishtinës në vitin 1985. Ishte drejtor shumëvjeçar në televizionin Kohavision (KTV). Deri në ditët e fundit të jetës së tij karrierën profesionale e vazhdoi në Radiotelevizionin 21. Me rastin e vdekjes të Lekë Zherkës nesër në orën11:00 do të mbahet mbledhje komemorative në Sheshin 21 ndërsa varrimi i të ndjerit do të bëhet në varrezat e qytetit në Prishtinë, në orën 13:00.

Ngushëllime për familjen e gazetarit ka shprehur edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. /21Media