Zoran Milanoviq është zgjedhur president i Kroacisë

Socialdemokrati Zoran Milanoviq do të jetë presidenti i ri i Kroacisë

Në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura sot, Milanoviq ka mposhtur presidenten aktuale, Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Kur janë numëruar pothuajse të gjitha votat, ish-kryeministri socialdemokrat është në epërsi ndaj presidentes aktuale me mbi 100 mijë vota.

Nga numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote prej 3 milionë e 680 mijë qytetarë, sot kanë votuar 2 milionë e 22 mijë.

Mbi 87 mijë fletëvotime kanë dalë të pavlefshme, apo 4,35%.

Në rrethin e parë, Kolinda Grabar-Kitaroviç ishte radhitur e dyta pas kandidatit socialdemokrat, Zoran Milanoviq.

Në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 22 dhjetor, kandidati nga SDP, Zoran Milanoviq, kishte fituar 29,55 % të votave, krahasuar me kandidaten tjetër Kolinda Grabar -Kitaroviç që kishte fituar  26,65 % të votave, apo rreth 20 mijë vota më pak.

Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Kroaci është vëzhguar prej një numri rekord vëzhguesish: 24.333, apo 63 vëzhgues më shumë sesa në rundin e parë kur në garë ishin gjithsej 11 kandidatë.

Në garën për president të Kroacisë kanë qenë gjithsej 11 kandidatë, nga ta 8 burra dhe 3 gra.

Gruaja e parë që u bë presidente e vendit, 51-vjeçarja kishte marrë funksionet gjerësisht honorifike më 2015. Ajo po mbështetet nga HDZ (qendra e djathtë), e cila e dominon jetën politike që nga pavarësia më 1991.

Gjatë fushatës, presidentja e ka kaluar kohën sa te moderuarit e HDZ-së aq te krahu nacionalist i partisë së saj, i cili po ngashënjehet të votojë për folk-këngëtarin Miroslav Skoro.

Ky i fundit ka premtuar se do ta dërgojë ushtrinë në kufi për të penguar kalimin e migrantëve dhe se do ta falë një kriminel lufte.

Ndërsa, presidentja aktuale ka zgjedhur ta mbajë tubimin e fundit zgjedhor në Vukovar, qytet në kufi me Serbinë, i cili ka qenë arenë e një rrethimi vrastar nga forcat serbe në fillim të luftës së viteve 1991-1995, që u bë simbol i vuajtjes së kroatëve gjatë konfliktit.

Nga rreth 3.8 milionë votues, rreth 170 mijë jetojnë jashtë, sidomos në Bosnjë.

Kroacia sikur edhe vendet fqinje të Ballkanit po përballet me një eksod të banorëve, një fenomen që është përshpejtuar pas anëtarësimit të saj në BE më 2013./kallxo

Back to top button