ZRrE i jep licencë 5 vjeçare kompanisë serbe ‘Drustvo Elektrosever’ për operim në veri

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka licencuar kompaninë serbe ‘Drustvo Elektrosever’ për furnizim me energji elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës për 5 vjetët e ardhshme.Kjo pikë e rendit të ditës u votua unanimisht nga bordi i ZRrE-së. Kryesuesi bordit të Zyrës së Rregullatorit, Ymer Fejzullahu, tha se kjo kompani do të furnizojë katër komuna në veri të vendit.
“Me të drejtë u përshkrua në mënyrë kronologjikë aplikacioni për licencim. Katër komunat në veri: Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovica Veriore, territori qe mbulon kjo licencë janë konsumatorët e këtyre komunave. E dimë që ka qenë proces i stërzgjatur. Kjo licencë gjithashtu duhet të ritheksoj ka të bëjë me furnizimin e konsumatorëve me çmime të parregulluara, që do të thotë se konsumatorët do të furnizohen me çmime që ofrohen nga ky furnizues. Por tarifat e shfrytëzimit të rrjetit të transmisionit të tregut, të furnizuesit do të jenë obligative dhe do të implementohen në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ndërsa konsumatorët kane të drejtë të furnizohen me çmime të parregulluara nga furnizuesi Elektrosever”, tha Fejzullahu.
Kompania “Drustvo Elektrosever” që nga fundi i muajit dhjetor të vitit 2020 ka aplikuar për licencim, ndërsa deri më sot nuk është pajisur me licencë për shkak se dhënia e licencës varej nga përputhshmëria me marrëveshjen e Brukselit.Regjistrimi dhe licencimi i një kompanie serbe është kërkuar në kuadër të dialogut në Bruksel në vitin 2013, ku Kosova dhe Serbia, kanë nënshkruar Marrëveshjen për energjinë. Palët kishin arritur marrëveshje 15 pikëshe më 19 prill të vitit 2013./kallxo

Back to top button