ZRRE nuk po i kompenson qytetarët që paguan rrymën për Veriun

Po pritet vendimi i prerë nga Gjykata

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ende nuk është duke i zbatuar dy prej tri rekomandimeve të Kuvendit, atë për kompensimin e 50 milionë euro të faturuara ndaj qytetarëve të Kosovës për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore. ZRRE gjatë raportimit në Kuvend tha se është duke pritur një vendim të prerë nga Gjykata për kompensimin e qytetarëve.

Izet Rushiti nga ZRRE tha se rekomandimin e parë ZRRE e përmbushi për ndalimin e praktikës së kundërligjshme të faturimit të energjisë elektrike, të shpenzuar në veri të Republikës së Kosovës te konsumatorët në pjesën tjetër të vendit.

Ndërsa, për rekomandimin tjetër që Qeveria në bashkëpunim me ZRRE dhe KEDS të gjejnë mënyrë alternative për t’iu shmangur humbjeve në veri të vendit, duke trajtuar të gjithë konsumatorët në mënyrë të barabartë, sipas normave kushtetuese dhe ligjeve kundër diskriminimit, përfaqësues të ZRRE janë në përpjekje dhe në bisedime për zbatim të këtij rekomandimi.

Zëvendësi i Avokatit të Popullit, Mehdi Geci tha se kërkuan nga gjykatat të nxirret një vendim i merituar për kompensimin e borxheve.

Anëtarja e Komisionit, Teuta Haxhiu tha se është jashtë çdo norme që 50 milionë euro janë bartur të gjithë qytetarëve.

“Prej dhjetorit të vitit të kaluar nuk po ndodhë kjo praktikë e keqe, mirëpo ka mbetur pjesa tjetër e kthimit të borxhit. Sepse ka shkelje të të drejtave të njeriut”, theksoi Haxhiu.

Deputetja, Mirjeta Kalludra pyeti përfaqësuesit e ZRRE-së se cilat veprime është duke i marrë ky rregullator për kthimin e borxhit ndaj konsumatorit.

Anëtarja e Komisionit, deputetja e PDK-së, Mexhide Mjaku tha se Qeveria ka ndarë 1 milionë euro në mars për shpenzimet e energjisë në katër komunat e veriore. Kështu që ajo pyeti se a do të vazhdojë prapë Qeveria të ndajë miliona euro për energji në veri, por në mungesë të ministrit të MZHE-së, Mjaku nuk arriti të marrë përgjigje për pyetjen e saj.

Petrit Pepaj nga ZRRE tha se është një problematikë për furnizim me energji elektrike në katër komunat veriore Në veri operatori ‘Eleketrokosmet’ operon në veri jashtëligjshëm.

“Ka qenë e domosdoshme të ndahen 1 milion  euro nga Qeveria në mars për mbulimin e energjisë. Është problem politik në këtë fushë në veri të Mitrovicës. Prapë Kosova do ketë obligime për shpenzimin e energjisë në veri”, theksoi Pepaj.

Back to top button