Zvicra ofron 7 milionë franga për këtë sektor

Jean Hubert Lebet kjo është faza përfundimtare e porgramit të ujit ne zonat rurale

Qeveria zvicerane do të investojë edhe 7 milionë franga në sektorin e ujërave. Kjo u bë e ditur gjatë nënshkrimit të marrëveshja financiare ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Qeverisë Zvicerane për “Programin Mbështetës për Ujësjellës dhe Kanalizim në Zonat Rurale, Faza VI”.

Me këtë rast, ministri i Financave, Bedri Hamza, ka falënderuar qytetarët zviceranë që me taksat e tyre po ndihmojnë qytetarët e Kosovës të kenë qasje në ujësjellës dhe ujë të pijes.

Hamza shtoi se investimet do të zgjerohen edhe në komunat si në atë të Zubin Potoku, Zveçani dhe Leposaviqi, që do të thotë se Kosova me përkrahjen e miqve të saj investon në gjithë territorin e Kosovës në përmirësimin e jetës së gjithë qytetarëve të saj.

Në marrëveshjen të cilën e nënshkruan sot dhe janë edhe  7 milionë franga investime në këtë sektor, i cili do të përmirësoj, zgjeroj dhe do të rritë përqindjen e popullsisë të cilët janë të lidhur me rrjetin e ujësjellësit

“Ka shumë nevoja, ka shumë prioritete vendi ynë, por investimet e taksapaguesve zviceran në Kosovë janë në top prioritete. Nuk ka më prioritet se të përmirësojmë furnizimin me ujë të qytetarëve të Kosovës i cili ndikon drejtpërdrejtë në ngritjen e standardit të tyre dhe i cili e ruan shëndetin e qytetarëve të Kosovës. Deri më tani shteti zviceran ka investuar 38 milionë frang”, tha Hamza

Hamza bëri me dije se nga fillimi i këtij mandati si ministër deri sot, ka sjellë mbi 80 milionë euro grante në sektorin e ujërave.

Ndërsa, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet theksoi se kjo fazë do të shënojë fazën përfundimtare të programit të ujit në zonat rurale. Ai shtoi se me përfundimin e saj të planifikuar në vitin 2020, do të kenë mbi 90 për qind mbulueshmëri të popullsisë me një furnizim të rregullt me ujë, dhe se bashkëpunimi për këtë projekt është i dyanshëm.

“Kemi arritur të bëjmë diçka shumë të mirë dhe për të arritur atë që 90 për qind e familjeve të jenë të furnizuara me ujë të pijshëm. Dua të falënderoj Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Financave për kontributin tuaj për këtë fazë të projektit.. Ideja është që të kemi qëndrueshmëri në këtë sektor, pra sektorin e ujërave. Për gjatë këtyre viteve ju kemi mbështetur por tani ju ka mbetur juve që të merrni përsipër këto obligime dhe t’i kryeni vet dhe unë jam i bindur se ju jeni në gjendje ta bëni këtë”. tha Lebet.

I pranishëm në nënshkrimin e kësaj marrëveshje ishte edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili tha se ky projekt ka qëllimi që t’i inkuadrojnë të gjitha fshatrat me sisteme të ujësjellësve rajonal për t’iu siguruar ujë të sigurt të pijes për gjithë ata, Lluka ka shtuar se në fund të këtij projekti mbi 91 për qind  e popullatës së Kosovës do të jetë në sistemin e ujësjellësve rajonal me furnizim të rregullt.

Ky program është zhvilluar edhe në disa faza tjera ku është investuar në regjione të ndryshme të Kosovës.


 

 

Back to top button