Sipas tyre në hekurudhat e Kosovës qarkullojnë gjithsej 9 lokomotiva

Sipas tyre në hekurudhat e Kosovës qarkullojnë gjithsej 9 lokomotiva

Në tremujorin e dytë të vitit 2018 numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi është 37 mijë, ose 34.90% më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Në raportin për të dhënat mbi Transportin Ajror, Hekurudhor, Rrugor, dhe Telekomunikimin të ASK-së thuhet se transporti i mallrave me tren në tremujorin e dytë të vitit 2018 është 96 mijë tonë, ose 27.27 për qind më pak në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërsa, sa i përket numrit të fluturimeve në tremujorin e dytë 2018 ka pasur 1.957 fluturime ose 10.75% më shumë se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar.

Numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti gjatë këtij tremujori është rreth 524 mijë, ku krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar ka rritje për 12.67%.

Ndryshe, në territorin e Kosovës janë gjithsej 333 km binarë hekurudhorë për transport. Në hekurudhat e Kosovës qarkullojnë gjithsej 9 lokomotiva, prej tyre shtatë dizel dhe dy  trena motorikë. Lokomotivat bartin dhjetë vagonë për udhëtarë dhe 1.420 vagonë për mallra.