Zyra e BE-së nis projektin për mbështetje të auditimit në Kosovë

Vlera e këtij projekti është rreth 700 mijë euro

Ka nisur zbatimi i projektit të binjakëzimit në mes Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe asaj të Polonisë, me qëllim që të mbështetjes së auditimit dhe rritjes së efikasitetit për t’u zbatuar rekomandimet e auditorit nga institucionet në Kosovë.

Projekti do të përbëhet nga komunikimi me qytetarët, parlamentin dhe palët e tjera të interesit, fuqizimin e kapaciteteve institucionale të ZKA-së dhe përditësimin e doracakëve të auditimit.

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani në një konferencë për media, tha se binjakëzimi jep mundësi që të avancohet në auditimin dhe përmes këtij procesi të ndihmohet Kosova në integrime evropiane.

“Shkëmbimi profesional i përvojave të auditorëve tonë me ata evropian na siguron neve që ne jemi kompetent dhe jemi të barabartë me dijen, ndikimin që e kemi në interes të publikut. Kjo për neve është shumë e rëndësishme”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Zyrës Supreme të Auditimit në Poloni, Marian Banas tha se ky projekt do të shërbejë për rritje të cilësisë në auditim dhe do t’i motivojë subjektet e kontrolluara që të zbatojnë rekomandimet e auditorëve.

“Dëshirojmë që të shkëmbejmë idetë tona në këtë drejtim dhe të ftojmë kontrollues të tjerë nga vendet e BE-së dhe të mendojmë bashkërisht se cilat nga këto përvoja do të jenë të vlefshme për institucionin e Auditimit në Kosovë. Gjithashtu kemi shpresë se një bazë e tillë do të shërbej për rritjen e cilësisë së punës së tyre dhe do t’i motivoj subjektet e kontrolluara për të vënë në jetë rekomandimet e tyre”, tha ai.

Kurse, zëvendëse kryesuesja e bashkëpunimit të Zyrës së BE-së, Hilleb Francke pati fjalë të mira për Zyrën e Auditimit në Kosovë, teksa tha se kjo do të avancohet më shumë me këtë projekt.

“Ne si BE e ndejmë se zyra është e përkushtuar në rritjen e kapaciteteve, kemi pas shumë përmirësime. Pra është rritur numri i zyrave Publike të Auditimit nga katër në dymbëdhjetë. Numri i performancave së auditimit është trefishuar dhe për vitin fiskal të vitit 2017 kanë dhënë mbi 1000 rekomandime për auditim. Sipas hulumtimeve paraqet një prej institucioneve më të besueshme nga qytetarët”, u shpreh ai.

Vlera e këtij projekti është rreth 700 mijë euro dhe pritet të realizohet brenda 18 muajve në mbështetje të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës së Polonisë dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.

Back to top button