Eichhorst konfirmon mbështetje për perspektivën evropiane të Kosovë

Eichhorst konfirmon mbështetje për perspektivën evropiane të Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli sot priti  në takim Angelina Eichhorst, zëvendësdrejtoreshën Menaxhuese për Evropë dhe Azinë Qendrore dhe Drejtoreshë për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm Evropian.

Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në Kosovë, procesin e integrimit evropian të saj dhe hapat që duhet ndërmarrë në këtë proces. Zyrtarja e lartë e BE-së i konfirmoi kryeparlamentarit Veseli mbështetjen e fuqishme të Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Kosovës, ndërsa shfaqi shpresën në përmbushjen sa më të shpejtë të të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave nga ana e Kosovës.

Kryeparlamentari Veseli e siguroi  Eichhorst se institucionet e reja të Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht për përmbushjen e kritereve që mundësojnë heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe lehtësojnë rrugën evropiane të saj.

Veseli tha se Kosova po punon maksimalisht, së bashku më partnerët e saj, në avancimin e reformave demokratike, forcimin e shtetit ligjor dhe luftimin e korrupsionit e të krimit të organizuar.

Eichhorst uroi kryeparlamentarin Veseli për rizgjedhjen e tij kryetar i Kuvendit, ndërsa shfaqi shpresën që bashkëpunimi midis Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës do të thellohet edhe më tej.

Në këtë takim ishte e pranishme edhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/përfaqësuese e posaçme të BE-së, Nataliya Apostolova./21Media