Veseli: ‘Syri i Popullit’ u aktivizua për ta fshehur dështimin për koalicionin
PDK do të jetë opozitë, do të jemi kosistentë në mbrojtjen e interesave të qytetarëve
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka folur sot për veprimet e kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurti dhe nënkryetarit Glauk Konjufcës, të cilët kanë bërë kallëzim penal ndaj tij dhe presidentit Hashim Thaçi, në lidhje me rastin “Syri i Popullit”.
Veseli tha se nga paaftësia për t’i krijuar institucionet po bëhen improvizime të tilla.
Kreu i PDK-së tha se organizata “Syri i Popullit” ka qenë e vërtetë dhe secili duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e bëra në të, ndërkohë ka theksuar se ligjërisht do t’i shkojë deri në fund kësaj çështje.
“Tentativa për t’i ikur të vërtetës, në fakt paaftësia për ta ndërtuar koalicionin qeveritar me këtë improvizim i cili është për këtë aspektin e ‘Syrit të Popullit’ është tentativë e dyfishtë, paaftësia për të krijuar premtimin të cilin e kanë pasur para qytetarëve të vendit Lëvizja Vetëvendosje, dhe e dyta ‘Syri i Popullit’ nuk është diçka fiktive, është reale , ka njeri të plagosur, njeri të zënë në flagrancë në veprim, ka djegie të makinave, ka sulme të eskortës së kryeministrit, sulme të zëvendëskryeministrave, deputetëve, ka sulme të familjeve, eksponentëve të cilët kanë qenë gjatë këtyre pesë viteve në qeverisje. Do të thotë pjesën e ppozitës, të cilat i ka bërë ‘Syri i Popullit’ dhe janë pikërisht ata të cilët e kanë potencuar edhe më shumë, pavarësisht ndonjë prokurori të korruptuar ose që frikësohet dhe mendon se në rrethana të reja mund të mbyllen ra stet. Secili duhet me u përgjigj për veprimet që i ka kryer, sa për mua unë do t’i shkoj deri në fund në aspektin ligjore dhe nuk më bënë përshtypje për asnjë individ”, tha Veseli.
Këto deklarata kryetari i PDK-së i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u tha se data për konstituimin e Kuvendit të ri është më 26 dhjetor i këtij viti në orën 15:00.
Veseli i cili ka drejtuar Kuvendin e Kosovës gjatë legjislaturës së fundit tha se presin që të krijohen institucionet së më parë , veçanërisht ato qe kanë rëndësi për buxhetin e Kosovës.
“Unë besoj në Zotin, besoj në kombin tim këto tjerat pak më bëjnë përshtypje, PDK do të jetë opozitë, do të jemi kosistentë në mbrojtjen e interesave të qytetarëve. Kosova duhet me ecë përpara nuk kemi luks të vonohemi, presim një seriozitet që institucionet të krijohen sa më shpejt”, tha Veseli.
Sot Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur punën për kallëzimin penal kundër presidentit të vendit, Hashim Thaçit dhe ish kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli për rastin e organizatës “Syri i Popullit”. Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti dhe nënkryetari Glauk Konjufca kanë dhënë sot dëshmitë e tyre.
Më 25 prill të këtij Albin Kurti , Glauk Konjufca në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore të Prishtinës kanë bërë kallëzim penal për presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës në atë kohë, Kadri Veseli për lajmërim apo kallëzim të rremë dhe deklaratë të rreme nën betim.