Më dhjetë dhjetor të vitit 1901, ndahen për herë të parë Çmimet Nobel.

Pas negociatave të tejzgjatura, pjesërisht me qeverinë franceze e cila kërkonte të vendoste një taksë shumë të lartë mbi pasurinë e Alfred Nobelit dhe pjesërisht, pas bisedimeve me familjen Nobel rreth çështjes së trashëgimisë, më në fund u bë e mundshme dhënia për herë të parë e 5 çmimeve, aq sa Nobel kishte lënë me testament.

Ceremonia për katër prej tyre Fizikë, Kimi, Mjekësi, Letërsi, u zhvillua në Stokholm dhe ceremonia e Çmimit për Paqe u mbajt në Christiania, kryeqyteti norvegjez që më vonë do të emërtohej Oslo.

Pesë vjet kishin kaluar nga koha kur Alfred Nobel vdiq në San Remo, më 10 dhjetor 1896 (63-vjeç). Ditët deri në dhënien e shpërblimeve, gjithashtu ishin plot tension. Emrat e fituesve ishin mbajtur të fshehur – ndryshe nga sot që zbulohen një muaj përpara.

Kur tre gjermanë të shquar – erdhën me tren nga jugu dhe zunë vend në hotel Grand, Stokholm, u bë e qartë se ata duhet të jenë laureatë të çmimit Nobel. Trafiku ndërkombëtar në atë kohë nuk ishte i madh dhe mbërritja e njerëzve të huaj përbënte lajm. Në ceremoninë në Stokholm, në sallën e Akademisë së Muzikës, çmimet u ndanë për arritjet në Fizikë, Kimi, Mjekësi, Letërsi. Salla u mbush gradualisht me njerëz në veshje festive.

Më pas, tre fituesit hynë pa bujë, muzikë a duartrokitje siç është zakon sot. I pari erdhi fizikani gjerman Wilhelm Conrad von Rontgen, pastaj kimisti holandez Hendricus van t’Hoff, i ndjekur nga mjeku gjerman Emil Adolf von Behring; dhe së fundi, ministri francez për të marrë çmimin Nobel në letërsi në emër të poetit Sully Prudhomme, i cili ishte i sëmurë, ndërsa ceremonia e dhënies së çmimit Nobel për paqe u zhvillua në Christiana (Oslo) në sallën e parlamentit norvegjez.

Çmimi u nda mes zviceranit Henri Dunant (themelues i Kryqit të Kuq ndërkombëtar), dhe francezit Frederik Passy (ekonomist dhe veprimtar paqeje).