Ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i cili për shumëkë njihet edhe si kasapi i Ballkanit, më 28 qershor të vitit 2001 ishte ekstraduar për në Hagë, pasi me 27 maj të vitit 1999 ishte bërë publike aktakuza për krime lufte në Kosovë. Më vonë Millosheviqi ishte akuzuar për krime edhe në Kroaci dhe gjenocid në Bosnje – Hercegovinë.

Ai ishte ekstraduar me urdhrin e Qeverisë serbe. Millosheviq ishte arrestuar në Beograd me një prill të vitit 2001, pasi ishte përgjegjës për vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve.

Gjykimi kundër Millosheviqit në Hagë kishte filluar me 12 shkurt të vitit 2002. Nxjerrja e dëshmive për krime në Kosovë e Kroaci dhe për gjenocid në Bosnje – Hercegovinë kishte zgjatur deri më 25 shkurt të vitit 2004. Mbrojtja e tij kishte filluar në fund të gushtit të atij viti.

Gjykimi kundër Millosheviqit ishte ndërprerë me dhjetëra herë për shkak të problemeve kardiovaskolare dhe tensionit të lartë të gjakut.

Me 22 shkurt, Milloshviqi kishte deklaruar se nuk ishte në gjendje të vazhdonte marrjen e dëshmitarëve në pyetje, ndërsa me 24 shkurt ishte refuzuar kërkesa e tij për shërim në Rusi. Më 11 mars 2006 në orën 09:30, Sllobodan Millosheviqi ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij.