Sot bëhen 22 vjet nga vrasja e njërit ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe njërit ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në, Ilir Konushefci.

Më 13 maj 1992 , Iliri, së bashku me shokët Rexhep Uka, Selim Haziri, Naim Hyseni, Lulëzim Podvorica, Naim Haziri, Bejtush Llugaliu dhe Shaip Haziri, themeluan grupin ilegal apolitik me emrin “Shqiponjat“, i cili do të organizohej për t’iu kundërvënë secilit që drejtpërsëdrejti rrezikonte pasurinë dhe gjërat e njerëzve në Kosovë, por duke mos lënë anash as strategjinë luftarake.

Kjo vërehet në betimin e dhënë, ku thuhet: “Betohem para flamurit dhe para shokëve se detyrat, të cilat i parashtron grupi, do t`i kryej me besnikëri dhe nëse është nevoja edhe jetën do ta jap për realizimin e idealit tonë”.

Ky grup, në vitin 1993, bie në kontakt me LKÇK-në. Edhe pse në mes tyre kishte disa dallime të vogla sa i përket mënyrës së organizimit, megjithatë gjendet mënyra për bashkëpunim, sepse të dy palët mendonin se çlirimi i Kosovës mund të realizohej përmes luftës së armatosur.

Njësiti “Shqiponjat“ pranon që t`i ndihmojë ata në shpërndarjen e organit të LKÇK-së “Çlirimi”. Ky bashkëpunim zgjati gjer nga fundi i vitit 1993 dhe fillimi i vitit 1994.

Në qershor të vitit 1996 ky njësit bie në kontakt përmes Rrustem Mustafës – Remit, me komandant Zahir Pajazitin dhe nga ajo kohë ishte vazhdimisht krah për krah me të.

Pas vrasjes se Zahirit, Hakifit dhe Edmondit më 31 janar 1997, në fshatin Pestovë afër Vushtrrisë, me sugjerimin e shokëve Selim Haziri, Naim Hyseni dhe Naim Hazir), kalojnë në ilegalitet në një banesë në Prishtinë për disa ditë dhe nga këtu vendosin që të kalojnë në Shqipëri.

Nga ajo kohë, Iliri, në rrethanat e krijuara në Shqipëri, ndryshoi formën e veprimit të tij, por duke mos u larguar asnjëherë nga betimi i dhënë për të luftuar gjer në fund për çlirimin e Kosovës. Atje filloi të bashkëpunojë me bashkëluftëtarët e Zahirit, si me Adrian Krasniqin, me të cilin ishte i pandarë deri në vdekjen e Adrianit, Qerim Kelmendin, Mujë Krasniqin, Ismet Abdullahun, Murat Ajetin etj.

Pasi formuan rrjetin e bashkëpunëtorëve, Iliri dhe Ardiani disa herë erdhën në Kosovë, me qëllim të riorganizimit të radhëve të UÇK-së, si dhe koordinimit të punëve me rrethet e tjera, sepse pas vrasjes së Zahir Pajazitit shumë çka nuk ishte si më parë.

Pas vdekjes së Zahirit, Iliri e përfaqësonte ZOLL-in në Shtabin Qendror.


Ilir Konushevci në radhët e UÇK-së shkroi rreshta të pashlyer në historinë tonë kombëtare, ishte ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe është njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në.