23 komuna përfitojnë grantin e performancës për mjedis të pastër
23 komuna kanë përfituar grantin e performcës për mjedis të pastër gjatë vitit 2021. Në ceremoninë solemne të ndarjes së çmimeve, u kërkua angazhim edhe më i madh për agjendën e gjelbër dhe përmirësimin e mëtejmë të sektorit të mjedisit dhe veçanërisht të mbeturinave.
Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tregoi nevojën për të ndryshuar qasjen ndaj mbetjeve dhe mënyrës si prodhohet e konsumohet, e cila sipas tij arrihet me bashkëpunimin dhe përkrahjen e ndërsjellët mes nivelit qendror dhe lokal.
“Gjenerimi i mbetjeve është në rritje në nivel lokal dhe global. Në Kosovë sipas të dhënave të Agjencinë të Statistikave në vitin 2020 janë grumbulluar gjithsej 456 mijë tonë mbeturina komunale, ose 253 kilogram për kokë banori. 1 për qind më e lartë kjo shifër krahasuar me vitin 2019 dhe 12 për qind më e lartë krahasuar me vitin 2018.. Është e domosdoshme që të ndryshojmë qasjen ndaj mbetjeve dhe mënyrës se si prodhojmë dhe konsumojmë. Por komunat nuk mund ta bëjnë këtë vet, duhet ndihma e qeverisë dhe pjesëmarrje aktive e qytetarëve dhe komuniteteve që të lëvizin drejt ekonomisë qarkore dhe një shoqërie që mëton zero mbetje. Qeveria është e përkushtuar që të krijojë bazën drejtë një kornize ligjore të qëndrueshme, e cila do t’i mundësojë komunave të ketë mbështetje të përhershme, jo të njëhershme…Ky grant në mënyrë transparente ka kanalizuar paranë publike nga niveli qendror në atë lokal dhe lidhur me indikator të qartë për ndarje të fondeve. Granti ka ndihmuar në decentralizimin e përgjegjësisë duke e motivuar zgjidhjet lokale për problemet globale që i kemi të gjithë në sektorin e mjedisit dhe veçanërisht atë të mbeturinave”, tha ai.
Ky grand, sipas ministrit të Mjedisit Liburn Aliu ka përmirësuar sado pak gjendjen ekzistuese në mjedis, për dallim nga e kaluara.
“Granti i Performancës Komunale për Mjedis të Pastër ka ruajtur rol të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes ekzistuese krahasuar me vitin 2017 dhe më herët kur kjo skemë nuk kishte ekzistuar. Të arriturat që i zbatohet këtij grandi janë ngritja e përqindjes së mbulimin së mbeturinave nga 70 për qind në vitin 2017 në 83 për qind në vitin 2020. Ngritja e normës së inkasimeve nga 80.64 në vitin 2017 në 90.72 në vitin 2020. Largimi i më shumë se 1000 deponime ilegale në mënyrë të qëndrueshme, 15 nga 38 komuna kanë pasur aktivitet të riciklimit”, tha Aliu.
Ndërsa, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se granti ka treguar efekt pozitiv edhe në Raportin e Progresit.
“Efekti pozitiv i granit të performancës u theksua për dy vjet radhazi në Raportin e Progresit duke u parafrazuar shembull i mirë për financimin e komunave sipas kritereve meritor. Granti është i inkorporuar edhe në programin katër vjeçar të qeverisë. Në pajtim me këtë program do të avancojmë edhe më tej këtë skemë”, tha ai.
Mbështetje grandeve të tilla i dha edhe ambasador i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
“Ne po e mbështesim këtë skemë edhe me fonde dhe shpresojmë se kjo do të kontribuojë në një Kosovë më të pastër dhe gjelbër, po ashtu duke krijuar edhe shërbime të menaxhimin për mbeturinat”, tha ambasadori Rohde.
Ndërkaq, avancim më të madh të agjendës së gjelbër kërkoi udhëheqësi i Sektorit për Bashkëpunim, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa.
“Ky projekt është shembull se si gjërat mund të shkojnë mirë kur ka pjesëmarrje të madhe dhe zotim nga ana e donatorëve. Sot agjenda e gjelbër është njëra nga iniciativat më të rëndësishme të KE dhe së bashku me GIZ kemi parashikuar këto prioritete dhe në Kosovë kemi avancuar mjaft mirë, por ka shumë punë për të bërë”, theksoi Brusa.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi tha se grantet e tilla kanë ndikuar në reforma dhe përmirësim të shërbimit të menaxhimit të mbeturinave.
“Ka kontribuar drejtpërdrejt në reforma dhe përmirësim të shërbimit të menaxhimit të mbeturinave. Andaj e them me plot bindje se ky mekanizëm ka shërbyer për komunat në krijimin e një standardi të ri të matjes së cilësisë për ofrimin e shërbimit për qytetarët”, deklaroi ai.
Për të marrë çmimin, kryetarët e 23 komunave zgjodhën të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në këtë ceremoni.