​23 vjet nga vrasja e gjeneral Ilir Konushevcit

 

Sot bëhen 23 vjet nga vrasja e njërit ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe njërit ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në, Ilir Konushevci.

Ilir Konushefci është lindur më 20 qershor të vitit 1969 në fshatin Llugë të komunës së Podujevës. Fëmijërinë e kaluar në fshatin e lindjes, ndërsa, shkollën fillore e ka kryer në fshatin Lluzhan, të mesmen në Podujevë. Pastaj është regjistruar në Shkollën e Lartë në Ferizaj, të cilën nuk ka arritur ta përfundojë për shkak të aktiviteteve.

Më 13 maj 1992 , Iliri, së bashku me shokët Rexhep Uka, Selim Haziri, Naim Hyseni, Lulëzim Podvorica, Naim Haziri, Bejtush Llugaliu dhe Shaip Haziri kanë themeluar grupin ilegal apolitik me emrin “Shqiponjat“, i cili ishte organizuar për t’iu kundërvënë secilit që drejtpërsëdrejti rrezikonte pasurinë dhe gjërat e njerëzve në Kosovë, por duke mos lënë anash as strategjinë luftarake. Kjo vërehet në betimin e dhënë, ku thuhet: “Betohem para flamurit dhe para shokëve se detyrat, të cilat i parashtron grupi, do t`i kryej me besnikëri dhe nëse është nevoja edhe jetën do ta jap për realizimin e idealit tonë”.

Ky grup, në vitin 1993 ka rënë në kontakt me LKÇK-në. Edhe pse në mes tyre kishte disa dallime të vogla sa i përket mënyrës së organizimit, megjithatë ishte gjendur mënyra për bashkëpunim, sepse të dy palët kanë menduar se çlirimi i Kosovës mund të realizohej përmes luftës së armatosur. Njësiti “Shqiponjat“ ka pranuar që t`i ndihmojë ata në shpërndarjen e organit të LKÇK-së “Çlirimi”. Ky bashkëpunim ka zgjatur gjer nga fundi i vitit 1993 dhe fillimin e vitit 1994.

Në qershor të vitit 1996 ky njësit ka rënë në kontakt përmes Rrustem Mustafës – Remit, me komandant Zahir Pajazitin dhe nga ajo kohë ishte vazhdimisht krah për krah me të.

Pas vrasjes se Zahirit, Hakifit dhe Edmondit më 31 janar 1997, në fshatin Pestovë afër Vushtrrisë, me sugjerimin e shokëve Selim Haziri, Naim Hyseni dhe Naim Hazir), kanë kaluar në ilegalitet në një banesë në Prishtinë për disa ditë dhe nga aty kanë vendosur që të kalonin në Shqipëri.

Nga ajo kohë, Iliri, në rrethanat e krijuara në Shqipëri ka ndryshuar formën e veprimit të tij, por duke mos u larguar asnjëherë nga betimi i dhënë për të luftuar gjer në fund për çlirimin e Kosovës. Konushevci atje ka filluar të bashkëpunojë me bashkëluftëtarët e Zahirit, si me Adrian Krasniqin, me të cilin ishte i pandarë deri në vdekjen e Adrianit, Qerim Kelmendin, Mujë Krasniqin, Ismet Abdullahun, Murat Ajetin etj.

Iliri në Shqipëri ka punuar në furnizimin me armatim në nivel të vendit, detyrë e cila ishte shumë e vështirë. Këtë detyrë e ka kryer kryesisht me Ardian Krasniqin, pas vrasjes së Luan Haradinajt.

Pasi kanë formuar rrjetin e bashkëpunëtorëve, Iliri dhe Ardiani disa herë kanë ardhur në Kosovë, me qëllim të riorganizimit të radhëve të UÇK-së, si dhe koordinimit të punëve me rrethet e tjera, sepse pas vrasjes së Zahir Pajazitit shumëçka nuk ishte si më parë.

Pas vdekjes së Zahirit, Iliri e ka përfaqësuar ZOLL-in në Shtabin Qendror.

Më 16 tetor të vitit 1997 është vrarë dhe Ardiani, gjatë një sulmi të Stacionit të policisë serbe në Kliqinë të Pejës. Vrasja e tij ka qenë një humbje e madhe për shokët, për UÇK-në e veçanërisht për Ilirin, sepse ata pos të tjerash ishin edhe shokë të pandarë të aksioneve. Pas këtij rasti, Iliri është ngarkuar nga shokët me rolin kryesor për sjelljen e armatimit në Kosovë. Gjatë gjithë kohës sa ka punuar në këtë detyrë, Konushevci ka hyrë në Kosovë mbi tridhjetë herë, duke sjellë armatim të llojllojshëm, nga armët e brezit e deri tek armatimi kundërtank. Iliri, pos që ka punuar rreth furnizimit me armatim, ka kontribuar shumë edhe në sjelljen e eprorëve profesionistë në radhët e luftëtarëve të lirisë.

Kur pritej që përmes Ilirit në Kosovë të futeshin oficerë të lartë për në UÇK, kur në Kosovë zhvilloheshin ofensiva të ashpra dhe të cilat paralajmëronin një luftë frontale, atëherë kur pritej dhe kërkohej më së tepërmi sjellje e armatimit, derisa ishte duke kryer si çdo herë detyrën e tij me përkushtimin më të madh, Ilir Konushevci është vrarë në mëngjesin e hershëm të datës 9 maj 1998, atje ku me se paku pritej, në një pritë të organizuar nga dora e zgjatur e pushtuesit serb, së bashku me mjekun Hazir Mala, derisa ishin duke udhëtuar për në Bajram Curr, me një kamion të ngarkuar me armatim.

Vrasja e Ilirit ka shkaktuar humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe shtabin e saj qendror.

Ilir Konushevci në radhët e UÇK-së ka shkruar rreshta të pashlyer në historinë tonë kombëtare, ka qenë ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe është njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në.

Back to top button