Komuna e Pejës aktualisht është ndër komunat me më së shumti raste të infektuara me Covid-19 në nivel vendi. Ku vetëm brenda pesë ditëve janë shënuar 35 raste të reja.

Përveç përhapjes në masë të madhe të rasteve me Covid-19, komuna në fjalë po ballafaqohet edhe me mungesë të automjeteve të urgjencës.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, Petrit Loci në një intervistë për kp, rritjen e vatrave të infektimit në Pejë e vlerëson tejet shqetësuese, derisa theksoi se nga 35 të prekur 2 prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Aktualisht i kemi 35 persona të prekur me Covid-19 që të gjitha këto raste në 5 ditët e fundit. Gjendja shëndetësore e tyre është relativisht e mirë dhe shumica prej tyre janë në vetëizolim në shtëpitë e tyre, ndërsa 2 prej tyre janë në klinikën infektive në gjendje pak më të rëndë shëndetësore”, deklaroi ai.

Derisa flet për gjendjen e të prekurve me koronavirus, ai tha se kanë mungesë të automjeteve të urgjencës, e që sipas tij kjo pamundëson kryerjen e shërbimeve në kohë.

“Ne si komunë e Pejës kemi nevojë logjistike mund të them më shumë, jemi në gjendje jo të mirë sa i përket logjistikës së automjeteve të urgjencës së shtetit, pasi që këto kohe të fundit lëvizja për në klinikën infektive ka qenë disa herë gjatë ditës dhe për shkak të amortizimit të automjeteve kemi pasur probleme jashtëzakonisht të mëdha. Sa i përket materialit shpenzues jemi në gjendje stabile”, tha ai.

I pari i Shëndetësisë në këtë komunë, tdeklaroi se kërkesa për testime është i madh, por konsideron se testimet duhet të bëhen vetëm në raste nevoje.

“Kërkesa e qytetarëve është që të bëhen më shumë teste, por jo gjithmonë bërja e testeve ndikon në uljen e riskut apo në uljen e numrit të të prekurve. Më mirë është të sensibilizohen dhe të investohet në atë që të kemi sa më shumë qytetarë të cilët vetë kontribuojnë në masa mbrojtëse se sa të kërkojnë t’i nënshtrohen testimit. Testimi bëhet vetëm në ato raste kur paraqitet nevoja, pra kur kemi raste pozitive”, tha ai.

Ai shtoi se nuk duhet të kthehen masat e mëparshme për parandalimin e Covid-19, por sipas tij qytetarët duhet të tregojnë kujdes më të madh./kp