Sot pritet të dalin rezultatet edhe për më shumë se 10 persona të dyshuar me koronavirus

Sot pritet të dalin rezultatet edhe për më shumë se 10 persona të dyshuar me koronavirus

Në Klinikën Infektive janë të shtrirë 44 persona, të cilët kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Prej tyre, 3 janë në gjendje kritike, ndërsa shtatë të tjerë kanë nevojë për oksigjeno-terapi. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme dy nga pacientët janë liruar për në shtëpi.

Infektologu Murat Mehmeti ka folur për Kp lidhur me gjendjen e pacientëve që ndodhen nën kontrollin e stafit mjekësor në Klinikën Infektive.

“Për momentin e kemi të shtrirë me COVID-19 pozitivë të konfirmuar gjithsej 44 raste. Prej këtyre, tri raste janë në gjendje kritike, për faktin se janë në respiratorë, konkretisht me frymëmarrje të sforcuar dhe i kemi shtatë pacientë të cilët kanë pa mjaftueshmëri respiratore dhe të cilët kanë nevojë për oksigjeno-terapi. Ndërkohë që pacientët e tjerë janë relativ isht mirë, po mbahen dhe po qëndrojnë mirë”, ka thënë Mehmeti.

Ndër të tjera, anipse numri mund të ndryshojë, Mehmeti ka treguar se gjatë ditës priten të dalin rezultatet edhe për më shumë se 10 persona të dyshuar me koronavirus.

“Numri variron, sepse vazhdimisht vijnë raste të reja, pranohen, testohen. Kështu që mund t’iu them se është numër më i madh se 10, e ndoshta më vonë bëhen 15-20. Varësisht se sa do të jetë fluksi i qytetarëve që do të vijnë të pranohen, dhe t’iu merren strishat”, ka deklaruar ai.

Infektologu Mehmeti ka shtuar se po arrijnë të menaxhojnë gjendjen në Klinikën Infektive, marrë parasysh se një numër i madh i te infektuarve po trajtohen në kushte shtëpiake dhe ndodhen në vetizolim.

“Është më shumë se 50 numri i të shëruarve. Vetëm sot i kemi lar guar dy pacientë, te cilëve pasi iu janë marrë strishat dy herë. Pasi që rregull është që pasi iu merren strishat dy herë te cilat rezultojnë negative, ne e llogaritim si të shëruar dhe lëshohen për shtëpi, kështu që sot i kemi liruar dy pacientë. Dhe kemi edhe pacientë të tjerë që besoj shumë shpejt do t’i lirojmë po ashtu, por që jemi në pritje të rezultateve”, ka thënë Mehmeti.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos grumbullohen me të tjerët, pasi në këtë mënyrë parandalohet përhapja e mëtejme e të prekurve me koronavirusin e ri.

Në Kosovë nga koronavirusi kanë vdekur 7 persona, 283 janë të infektuar, ndërsa, 58 janë shëruar.