Në Doblibarë të Gjakovës është përuruar faza e punimeve për rehabilitimin e sistemit të ujitjes Radoniq-Dukagjin. Ky projekt u vlerësua si një investim që rrit produktivitetin dhe sigurinë ushqimore në këto rajon.

Në ceremoninë e përurimit të këtij projekti mori pjesë edhe kryeministri Avdullah Hoti i cili deklaroi se sot po përurohet faza e parë e një projekti i cili ka filluar në qeverinë Mustafa e më pas u zhvillua edhe gjatë qeverisë Haradinaj.

Për këtë projekt i cili ka nisur tash e 40 vjet shefi i qeverisë tha se nuk ka investime më produktive sesa investimet në sistemin e ujitjes.

“Do t’i rrimë gati që atë master plan ta kthejmë në plan pune të investimeve në mbarë Kosovën për të zgjeruar tokat bujqësore që janë në ujitje. Jam i lumtur që tash me këtë sistem mund të mbulohet hapësira prej 5 mijë hektarëve me shpresë që shpejt ta funksionalizojmë edhe 4-5 mijë hektarë shtesë deri në 10 mijë hektarë. Dhe pastaj ministër duhet të kujdesemi që për një periudhe 3 deri në 4 vite të shtrijmë në gjithë hapësirën deri në 30 mijë hektar deri poshtë në Suharekë dhe Prizren, ku integrohen të dy sistemet e ujitjes. Nuk ka investim më produktiv sesa investimi në fushën e bujqësisë sepse sistemi i ujitjes së tokave bujqësore e rrit produktivitetin e prodhimit bujqësor së paku tri herë krahasuar me tokët që nuk kanë ujitje”, tha Hoti.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa tha se përmes këtij projekti po ofrohet jetë më e mirë për qytetarët e Kosovës pasi që po garantohet siguri ushqimore.

Mustafa tha se zgjerimi dhe rehabilitimi i sistemit të ujitjes në Radoniq është investim në vlerë prej 3.7 milionë eurosh, i cili është pjesë e projektit të përgjithshëm për sistemin e ujitjes për fazat e ardhshme që kapin vlerën 12 milionë euro.

“Investimi që po e përurojmë sot në zgjerimin dhe rehabilitimin e sistemit të ujitjes në Radoniq garanton një jetesë më të mirë për bujqit tanë për agro-përpunuesit tanë dhe për gjithsecilën familjare kosovare. Ky investim me përkrahjen e Bankës Botërore përmes Projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural do të rrisë cilësinë e jetës dhe bujqve dhe qytetarëve në përgjithësi dhe të komunave të Gjakovës, Prizrenit dhe Rahovecit në veçanti. Ky master plan i ujitjes i hartuar për herë të parë në këto 40 vitet e fundit në Kosovë do të jetë rrugëtimi i qartë i MBPZHR dhe i qeverisë së Kosovës për investime kapitale në sistemin e ujitjes në gjithë Kosovën në vlerë prej qindra miliona euro në 15-20 vitet e ardhshme. Me këto investime në ujitje bujqësia kosovare do të jetë konkurrente me bujqësinë e rajonit dhe Evropës”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini tha se të gjithë bujqit e zonës së Dukagjinit duhet të jenë të gëzuar për këtë projekt, frytet e të cilit do të shihen shumë shpejt.

“Sot duhet me thënë se jo vetëm në Dublibarë por në gjithë këtë zona të Dukagjinit e cila është ndër zonat më pjellore në Kosovë bujqit duhet me qenë të gëzuar dhe me festua jam i bindur qe nuk do kaloj shumë kohë derisa e gjithë Kosova t’i sheh frytet e një projekti të këtillë”, tha ai.

Kurse, famullitari i fshatit Dublibarë, Don Robert Jakaj i cili e cilësoi si projekt jetik për këtë zonë, shpreson që shpejt do të finalizohet komplet rrjeti dhe të modernizohet sistemit i ujitjes për këtë anë.

“Sot nuk është përfundimi i punimeve por është vetëm fillimi i punimeve ka edhe shumë punë për tu bërë… shpresojmë që me përkrahjen direkte të kryeministrit Avdullah Hoti dhe Ministria e Bujqësisë do të arrijmë që ta finalizojmë komplet rrjetin për rehabilitimin dhe modernizimin e sistemit të ujitjes në bashkësinë tonë lokale në Doblibarë”, tha ai.

Projekti për rehabilitimin e sistemit të ujitjes Radoniq-Dukagjinë është projekt i mbështetur nga Banka Botërore. Me këtë rast përmes një video-mesazhi menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoninë Veriore, Massimiliano Paolucci foli për rëndësinë e këtij projekti.