Ministria e Shëndetësisë ka publikuar bilancin e pandemisë së COVID-19 për 24 orët e fundit në Shqipëri, ku janë regjistruar 9 viktima dhe 321 raste të reja me koronavirus nga gjithsej 1446 testime të bëra, ndërkohë, të shëruarit janë 121.

Aktualisht në spitalet Covid, po trajtohen 328 pacientë, 12 në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit, kanë humbur jetën 9 qytetarë me Sars-Cov2 pozitiv: një 44-vjeçar, një 70- vjeçar, 71-vjeçar, 78-vjeçar, dhe dy 84-vjeçarë nga Tirana, 67-vjeçar nga Mallakastra, një 74-vjeçar dhe një 82-vjeçar nga Korça.

Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 173 raste në Tiranë, 22 në Kavajë, nga 12 raste në Korçë, Pogradec, 11 në Fier, 10 në Vlorë, 9 në Elbasan, nga 7 raste në Shkodër, Lushnje, Gramsh, nga 6 raste në Durrës, Sarandë, nga 4 raste në Berat, Mat, Kuçovë, nga 3 raste në Lezhë, etj.

Që nga shpërthimi i pandemisë me koronavirus në Shqipëri janë regjistruar 21.523 raste, prej tyre 11.367 janë shëruar, 9.629 janë raste ende aktive, ndërsa betejën me sëmundjen e rrezikshme e kanë humbur 527 pacientë.