Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës beson se pa rolin prirës të ShBA-së nuk mund të arrihet një marrëveshje finale me Serbinë. Partia e Ramush Haradinajt thotë se nuk ka garanci dhe zbatim të suksesshëm të kësaj marrëveshje pa praninë e Amerikës në dialog.

Deputetja e kësaj partie, Time Kadriaj në seancën plenare ku po raporton kryeministri Hoti për dialogun me Serbinë tha se Kosova hodhi hap të madh përpara me marrëveshjen në Washington.

“Ne si Kuvend dhe qytetarët e Kosovës duhet të din se pa rolin prirës të Amerikës një marrëveshje e qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë nuk është e garantuar. Besojmë në rolin dhe angazhimin e ShBA-së besim ky që nuk është luhatur asnjëherë. Pa ta nuk ka asnjë garanci se një marrëveshje finale mund të arrihet dhe mund të implementimet suksesshëm. Dialogu për marrëveshjen finale me Serbinë duhet të na bashkojë të gjithëve, pozitë dhe opozitë”, tha ajo.

Krahas kësaj, ajo tha se themelimi i Asociacioni i Komunave Serbe është temë e mbyllur dhe nuk duhet të hapet.

“Asociacioni është temë e mbyllur me vendimin e Gjykatëse Kushtetuese. Si e tillë nuk bënë të diskutohet askund tjetër”, tha ajo.