Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka thënë se shpronësimi është pengesa kryesore në përfundimin e projektit për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë.

Ai tha se në disa akse të kësaj rruge tashmë ka nisur shpronësimi i tokave.

“Me marrjen e detyrës një prej çështjeve dhe një prej rrugëve e cila është trajtuar me prioritet është edhe rruga Prishtinë-Mitrovicë krahas edhe shumë rrugëve të tjera ose projekteve të mëdha të cilat janë në synimet e mija edhe personale për tu zhvilluar sepse ajo çka kam gjetur në ministri është se pak a shumë fokusi është orientuar në rrugë të vogla lokale dhe jo në rrugë nacionale, regjionale që të themi autostrada ato që e lidhin vendin tonë me nyejt kryesore mes qyteteve dhe rrugëve transevropiane. Me këtë rrugë jam marr që nga dita e parë dhe kemi hasur me shumë pengesa sikur edhe tek projektet tjera që karakterizohen qoftë me shpronësim, revidim të projektit qoftë punë shtesë edhe kjo rrugë fatkeqësisht është prekur nga këto probleme tek kjo ka qenë ka qenë evidente çështja e shpronësimit…Veç kanë filluar proceduar për shpronësim në disa pjesë për të qenë më kreative dhe duke i ditur mundësitë buxhetore kemi kërkuar që shpronësimi të filloj nga Gojbula në drejtim të lumit të Madh në mënyrë që të punohet dhe të lirohen fondet nga institucionet ndërkombëtare që kanë dhënë kredi në atë pjesë….Shpresoj dhe kam bërë me dije edhe në ministri të Financave edhe të tjerë edhe mund të prekin projektet tjera tek ne vetëm që të shpronësohen”, tha ai.

Këto komente Abrashi i bëri në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, pas pyetjes parlamentare që e bëri deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

“Tash e disa viteve ndërtimi i rrugës Prishtinë-Mitrovicë por punimet me shkojnë shumë ngadalë për shkak të punimeve janë krijuar dhjetëra pengesa nëpër rrugë të cilat po vështirësojnë qarkullimin e qytetarëve duke shkaktuar kolona të gjata në këtë aks rrugor… Kur mund të përfundohet rruga Prishtinë-Mitrovicë dhe si mund të gjendet zgjidhja”, tha ai.

Ministri i Infrastrukturës po ashtu në fjalën e tij, tha se kanë hartuar një task-forcë që do i trajtojë të gjitha projektet infrastrukturore.

Ai tha se deri në fund të vitit do arrijnë të realizojnë 90 përqind të buxhetit të tyre.