Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), së bashku me Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës (ShSK), nënshkruan sot kontratë bashkëpunimi, me qëllim që t’u ndihmohet gazetarëve në Prishtinë, marrë parasysh se që nga fillimi i pandemisë, Komuna e Prishtinës është ballafaquar me numrin më të lartë të rasteve të infektuar me Covid-19.

AGK thotë se në donacionin e siguruar nga ShSK-ja, bëjnë pjesë 15 mijë maska, 3 mijë dezinfektues, 100ml dhe 300 dezinfektues 1l.

Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli-Pustina, e vlerësoi të një rëndësie të veçantë këtë ndihmë të ShSK-së, për t’i mbrojtur gazetarët, të cilët edhe ashtu ballafaqohen me probleme të shumta, jo vetëm financiare.

Sipas saj, mbrojtja e gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve, kontribuon jo vetëm në mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe funksionimin e medies, por edhe në informimin e saktë dhe në kohë reale te qytetarët e Republikës së Kosovës.

Teksa, drejtori i ShSK-së, Sami Mazreku, u shpreh i përkushtuar të thellojë bashkëpunimin me AGK-në, me ç’rast theksoi gatishmërinë që AGK së bashku me ShSK-në të organizojnë trajnime vjetore për gazetarët që raportojnë për ekonomi dhe po ashtu t’i shpërblejnë gazetarët përvjetshëm me tri çmimet për storiet më të mira.

Sa i përket procedures së shpërndarjes, AGK posedon listat e kolegëve tanë që punojnë në terren dhe të cilët janë furnizuar me pako mbrojtëse gjatë donacionit të parë. Për tërheqjen e pakove të reja, të njëjtit do të njoftohen me kohë”, thuhet në njoftim.